Rreziku që e pret Kosovën nëse nuk e zë hapin me epokën e AI.
Në fillim të vitit 2025, një grup studiuesish të inteligjencës artificiale (AI) publikuan një skenar potencial të zhvillimit të AI, që tingëllon si paralajmërim. Skenari “AI 2027” përshkruan një botë ku sistemet e avancuara të AI automatizojnë jo vetëm detyra rutinore, por kërkimin shkencor, zhvillimin e softuerit dhe vendimmarrjen strategjike. Në një pikë, sistemi fillon ta përmirësojë vetëveten më shpejt sesa njerëzit mund ta ndjekin këtë përmirësim. Ky moment, që autorët e quajnë “përshpejtim i pakontrolluar i inteligjencës” (në anglisht: ‘intellegence explosion’), është pika ku rreziku nuk vjen më nga teknologjia si mjet, por nga mungesa e kapacitetit njerëzor për ta dirigjuar atë.
Në një ese të gjatë në janar të vitit 2026, Dario Amodei, udhëheqësi i Anthropic, kompanisë mbrapa njërit prej mjeteve më të famshme të AI gjeneruese, “Claude”, dhe një nga njerëzit në qendër të kësaj vale, e quajti këtë moment “adoleshenca e teknologjisë”. Ai rikujton një skenë nga filmi “Contact”, ku pyetja thelbësore për një qytetërim alien ishte: “Si e mbijetuat adoleshencën tuaj teknologjike pa e shkatërruar veten?” Sipas tij, njerëzimi po hyn pikërisht në atë fazë: në një periudhë të turbullt ku po na dorëzohet një fuqi pothuajse e pakufishme, teksa pjekuria jonë institucionale dhe politike mbetet e pamjaftueshme.
Skenari “AI 2027” dhe ai i Amodeit nuk paraqiten si profeci apo si një e ardhme e pashmangshme. Të dy i trajtojnë këto zhvillime si mundësi që varen nga shumë rrethana si ritmi real i përparimit teknologjik, vendimet politike, mënyra e rregullimit dhe sjellja e akterëve shtetërorë e privatë. Vetë Amodei e pranon se AI mund të mos zhvillohet aq shpejt sa parashikohet, se disa nga rreziqet mund të mos materializohen, apo se mund të shfaqen rreziqe të tjera që sot nuk i kemi imagjinuar. Askush nuk e parashikon të ardhmen me siguri të plotë. Megjithatë, ecuria konkrete e AI në terren gjatë tri viteve të fundit tregon se përshpejtimi është real dhe se përgatitja është domosdoshmëri strategjike.
Në vitin 2022, modelet e para publike të AI gjenerative, si “ChatGPT”, bënin gabime elementare matematikore. Në vitin 2023 kalonin provime profesionale. Në vitin 2024 shkruanin kod funksional. Në vitin 2025, shumë inxhinierë filluan që pjesën më të madhe të punës së tyre t’ia delegonin AI. Në fillim të vitit 2026, laboratorët kryesorë njoftuan se modelet e reja po ndihmojnë në ndërtimin e versioneve të ardhshme të vetes së tyre. AI po zhvillon AI, pa ndihmën e njerëzve.
Amodei e krahason këtë me një shtet imagjinar prej dhjetëra miliona njerëzish, secili më i zgjuar se një fitues i Çmimit Nobel, që mendon dhjetë herë më shpejt se njeriu dhe mund të veprojë përmes internetit, robotëve, laboratorëve.
AI po zhvillon AI, pa ndihmën e njerëzve.
Një tjetër ese, e shkruar po ashtu nga një pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i zhvillimit të sistemeve të AI, Math Shumer, ishte po ashtu në qendër të vëmendjes javën e kaluar duke mbledhur afër 84 milionë klikime në platformën X brenda pak ditëve nga publikimi. Sipas Shumer, frika kryesore nuk është më nëse AI do të bëhet më e aftë se njerëzit në disa detyra të caktuara, por nëse do të bëhet një zëvendësues i përgjithshëm për punët që kërkojnë shkathtësi logjike. Për dallim nga revolucionet e mëparshme industriale, që automatizuan punët fizike dhe nuk prekën punët kognitive, kjo valë po prek pikërisht atë që e kemi konsideruar përparësinë tonë si qenie njerëzore intelegjente: analizën, gjykimin, kreativitetin, madje edhe intuitën.
Kur një sistem jo vetëm që shkruan kod, por e teston, e përmirëson dhe e optimizon vetë atë, atëherë vija ndarëse mes mjetit dhe bashkë-autorësisë fillon të zbehet. Dhe kur ai sistem përdoret për të përshpejtuar zhvillimin e versionit të ardhshëm të tij, cikli i përmirësimit del nga kontrolli njerëzor. Kjo ka implikime të drejtpërdrejta për tregun e punës. Fillimisht prekën detyrat më rutinore: përkthime, transkriptime, përmbledhje, analiza bazike. Pastaj prekën profesionet më të ndërlikuara: juristët, analistët financiarë, programuesit, dizajnerët.
Argumenti ngushëllues se AI do të na lirojë nga punët e mërzitshme po zëvendësohet nga një realitet ku AI po kryen edhe punët më të ndërlikuara. Nëse një model AI mund të përgatisë një strategji biznesi, të analizojë mijëra dokumente ligjore brenda minutash dhe të prodhojë kod më të pastër se një ekip inxhinierësh, atëherë cilat fusha mbeten në dorë të njeriut?
Si do ta riformësojë AI tregun e punës?
Në skenarin “AI 2027”, ndikimi në tregun e punës përshpejtohet ndjeshëm. Fillimisht goditen punët e nivelit hyrës në teknologji, financë, analizë dhe administratë, ku sistemet e avancuara kryejnë detyra të plota pa pasur nevojë për mbikëqyrje të vazhdueshme nga njeriu. Më vonë, AI nuk kufizohet vetëm në asistencë, por fillon të zëvendësojë role të tëra, duke ulur kërkesën për fuqi punëtore dhe duke rritur presionin mbi pagat. Ekonomia në tërësi mund të rritet më shpejtë për shkak të produktivitetit të lartë, por përfitimet do të përqendrohen tek kompanitë që kontrollojnë modelet dhe infrastrukturën teknologjike. Kjo mund të krijojë një hendek mes atyre që zotërojnë kapitalin teknologjik dhe pjesës tjetër të shoqërisë, ndërsa qeveritë përballen me presion për politika fiskale, rregullim dhe mbështetje sociale.
Po çka nënkupton e gjithë kjo për Kosovën?
Në plan afatshkurtër, sektori publik me shumë gjasë do të mbetet i paprekur. Jo sepse teknologjia nuk do të mund t’i zëvendësonte shumë prej pozitave ekzistuese, por sepse dinamika politike dhe punësimi klientelist e bëjnë administratën publike rezistente ndaj racionalizimit.
Nëpër sektorë të ndryshëm publik, vendi ngec në shtrirjen e digjitalizimit. Për shembull, qeveria qendrore dhe komunat ofrojnë mbi 700 shërbime për qytetarë dhe biznese, por vetëm rreth 10% e tyre mund të merren online. Shumica e institucioneve ende nuk posedojnë infrastrukturën, sistemet apo aftësitë e nevojshme për digjitalizim funksional, çka tregon se problemi nuk është mungesa e teknologjisë, por mungesa e kapacitetit për ta zbatuar atë.
Fillimisht goditen punët e nivelit hyrës në teknologji, financë, analizë dhe administratë, ku sistemet e avancuara kryejnë detyra të plota pa pasur nevojë për mbikëqyrje të vazhdueshme nga njeriu.
Ndërkohë që kompanitë private në mbarë botën po integrojnë AI në diagnostikë mjekësore, menaxhim pacientësh dhe analizë të të dhënave, sistemi shëndetësor publik në Kosovë vazhdon me sisteme të vjetra, procese manuale dhe shërbime joefikase. Këtë e dëshmon fakti se institucionet publike për më shumë se 15 vjet nuk kanë arritur ta shtrijnë infrastrukturën e nevojshme për funksionalizimin e Sistemin e Informimit Shëndetësor (SISH) dhe të dhënat e pacientëve mbahen pjesërisht në libra fizikë e pjesërisht në platforma digjitale.
Në arsim, sfida është edhe më strukturore.
Strategjia e Arsimit 2022–2026 parashihte zgjerimin e përmbajtjeve digjitale në shkolla, përfshirjen e kodimit dhe programimit, si dhe një vlerësim më sistematik të kompetencave digjitale të nxënësve. Megjithatë, në një realitet ku mjetet e AI tashmë mund të gjenerojnë, testojnë dhe optimizojnë kod, strategjia duhet të zhvendoset. Në vend që të përgatisim nxënës për të konkurruar me modelet e AI në sintaksë, do të duhej t’i përgatisnim t’i kuptojnë si funksionojnë sistemet, si të bashkëpunojnë me këto mjete dhe si të mbajnë përgjegjësi për rezultatet. Kjo nënkupton më shumë theks te mendimi kritik, verifikimi, siguria dhe etika digjitale, si dhe aftësia për të vlerësuar cilësinë e rezultateve të AI, jo vetëm për t’i komanduar ato.
Kjo bëhet edhe më urgjente kur merret parasysh niveli aktual i aftësive bazike digjitale. Sipas Studimit Ndërkombëtar për Aftësitë Kompjuterike dhe të Informacionit (ICILS 2023), që teston nxënësit e klasës së tetë në përdorimin e kompjuterit dhe të informacionit, Kosova ka arritur mesatarisht vetëm 356 pikë, rezultati i dytë më i ulët ndër sistemet arsimore pjesëmarrëse. Vetëm 30% e nxënësve në Kosovë e kanë arritur standardin minimal ndërkombëtar të kompetencës digjitale. Kjo sugjeron se shumica e të rinjve nuk po i fitojnë aftësitë e nevojshme digjitale deri në përfundim të arsimit të mesëm të ulët, ndërsa pabarazitë urbane-rurale, mungesa e pajisjeve dhe lidhja e dobët e internetit në disa shkolla e rëndojnë edhe më shumë situatën.
Në vend që të përgatisim nxënës për të konkurruar me modelet e AI në sintaksë, do të duhej t’i përgatisnim t’i kuptojnë si funksionojnë sistemet, si të bashkëpunojnë me këto mjete dhe si të mbajnë përgjegjësi për rezultatet.
Angazhimi më i qartë i Kosovës ka qenë “Agjenda Digjitale e Kosovës 2030”, e miratuar në maj 2023, e cila zotohet për një kthesë të madhe deri në fund të dekadës, ku 80% të kompanive që përdorin Cloud/AI/big data, 100% të shërbimeve kyçe publike online, 90% të qytetarëve me identitet digjital dhe dosje mjekësore do të jenë tërësisht të digjitalizuara. Por pas gati tri vitesh, zbatimi duket i ngadalshëm: disa nisma janë ende në faza fillestare, si procesi i identitetit elektronik (eID) që hyri në fazën e parë të pilotimit vetëm në nëntor 2025, ndërkaq pjesa tjetër e objektivave mbeten kryesisht në letër.
Kjo krijon një paradoks sepse teknologjia po përparon me shpejtësi, ndërsa integrimi i saj në nivel shtetëtor po mbetet në vendnumëro, duke thelluar hendekun mes sektorit privat dhe atij publik.
Ndikimi më i menjëhershëm i përshpejtimit të AI pritet të ndihet në sektorin privat, veçanërisht atë të shërbimeve, ku Kosova ka ndërtuar një model të bazuar në eksport. Prej vitesh, kompani të tëra punësojnë mijëra të rinj për klientë të jashtëm në qendra thirrjesh, përpunim të dhënash, marketing digjital, dizajn grafik dhe programim. Këto kompani kanë ndikuar edhe në rritjen e eksportit të shërbimeve.
Por ky model mbështetet në dy kategori punësh që AI po i trazon drejtpërdrejt. Së pari janë rolet “entry-level” (në shqip: punët hyrëse) dhe tranzicionale. Shembulli më i qartë janë qendrat e thirrjeve. Ato kanë qenë porta e parë e punësimit për të rinj që flasin gjuhë të huaja, edhe pa shkathtësi të avancuara. Sot ky shërbim mund të automatizohet me modele gjuhësore që flasin disa gjuhë, punojnë 24/7 dhe kanë kosto shumë më të ulët se një punonjës. Kjo po e ndryshon logjikën ekonomike të sektorit. Kategoria e dytë janë rolet me aftësi të transferueshme, si programimi dhe dizajni. Këtu rreziku nuk është zhdukja e plotë e vendeve të punës, por kompresimi i detyrave bazike. Vlera zhvendoset drejt punëve që kërkojnë gjykim, kontroll cilësie dhe përgjegjësi. Ngjashëm preken edhe shërbimet e tjera që ofron ky sektor.
Ndikimi më i menjëhershëm i përshpejtimit të AI pritet të ndihet në sektorin privat, veçanërisht atë të shërbimeve, ku Kosova ka ndërtuar një model të bazuar në eksport. Por ky model mbështetet në dy kategori punësh që AI po i trazon drejtpërdrejt.
Integrimi i deritanishëm i AI gjenerative në këto kompani tregon se sa lehtë mund të automatizohen një pjesë e shërbimeve që ato ofrojnë. Këtë e pasqyron edhe “Barometri i TIK 2023–2024”, një anketë online e realizuar gjatë gushtit dhe shtatorit 2025 me 115 kompani të lidhura me sektorin e TIK, nga e cila ka rezultuar se në shërbimet teknologjike, 69% e kompanive shpesh përdorin mjete si ChatGPT apo GitHub Copilot, 24% prej tyre i përdorin me raste, ndërsa vetëm 8% thanë se nuk i përdorin fare. Në shërbimet kreative, si dizajn grafik, 67% raportuan se i përdorin rregullisht këto mjete, 20% prej tyre i përdorin me raste, ndërsa 13% thanë se nuk i përdorin fare. Kjo tregon se AI tashmë është pjesë e rutinës së punës në këto sektorë.
Nëse klientët ndërkombëtarë mund t’i automatizojnë shërbimet që këto kompani i ofrojnë tashmë edhe ashtu me ndihmën e AI gjenerative, çka do të ndodhë me këta qindra punëtorë që kryenin këto detyra?
Në një ekonomi që tashmë ka vështirësi të absorbojë fuqinë e re punëtore, automatizimi i shërbimeve rrezikon ta ngushtojë edhe më shumë hapësirën për integrim ekonomik. Nëse vendet e zhvilluara si shqetësim e kanë rishpërndajen e pasurisë nga AI, diçka që e ngrit edhe Amodei në esenë e tij, Kosova përballet me një sfidë edhe më bazike: si të krijojë punë ku vetë natyra e punës po transformohet rrënjësisht.
Ky transformim mund të prodhojë tensione sociale konkrete në Kosovë, sepse nëse këta punëtorë mbeten pa rrugë tranzicioni në tregun vendor, presioni për emigrim rritet, jo vetëm për paga, por për relevancë profesionale. Ndërkohë, ata që mbesin, sidomos të rinjtë që nuk janë as në punë, as në arsim, as në trajnim (NEET), që përbën mbi 30% të kësaj grupmoshe, përballen me rrezikun e përjashtimit dhe humbjes së perspektivës, duke e thelluar nevojën për politika shtetërore të ri-kualifikimit, një treg vendor digjital dhe përgjegjësi të përbashkët të shtetit dhe sektorit privat për ta menaxhuar këtë tranzicion.
Ndikimi i AI shkon përtej tregut të punës
Rreziku më i madh i zhvillimit të AI, megjithatë, nuk është ekonomik, por institucional. Sistemet demokratike të qeverisjes janë ndërtuar për të reaguar ngadalë, përmes debatit, kompromisit dhe proceseve të gjata legjislative. Teknologjia, përkundrazi, përshpejton këto procese.
Nëse kapaciteti për vendimmarrje strategjike, modelim ekonomik dhe analiza të sigurisë kalon gjithnjë e më shumë te sistemet autonome, atëherë shtrohet pyetja: kush i mbikëqyr ato? Kush vendos kufijtë? Dhe a mund të ndërtojmë mekanizma kontrolli me të njëjtin ritëm me të cilin po përparon vetë teknologjia?
Të njëjtin shqetësim e ndanë edhe Amodei në esenë e tij, ku paralajmëron se fuqia e AI mund të dalë jashtë kontrollit njerëzor ose të keqpërdoret nga individë dhe shtete për shkatërrim, survejim dhe kapje pushteti, duke rrezikuar liritë demokratike dhe sigurinë globale, teksa në të njëjtën kohë mund të shkaktojë tronditje të thella ekonomike përmes zëvendësimit masiv të vendeve të punës që kërkojnë aftësi analitike dhe përqendrimit ekstrem të pasurisë, duke e vendosur shoqërinë përballë një sprove historike.
Në nivel gjeopolitik, skenari “AI 2027” përshkruan një garë të fortë mes fuqive të mëdha për dominim teknologjik. Shtetet që arrijnë ta automatizojnë kërkimin shkencor dhe zhvillimin ushtarak fitojnë avantazh strategjik, duke përshpejtuar zhvillimin e armëve autonome, operacioneve kibernetike dhe sistemeve të mbikëqyrjes. Sipas këtij skenari, luftërat e ardhshme bëhen më pak të varura nga numri i ushtarëve dhe më shumë nga epërsia algoritmike dhe shpejtësia e vendimmarrjes së sistemeve autonome. Rreziku nuk është vetëm konflikti i drejtpërdrejtë, por edhe destabilizimi përmes sulmeve kibernetike masive, manipulimit informativ dhe garës për kontroll mbi infrastrukturën botërore të AI. Në këtë kuadër, balanca e pushtetit mund të ndryshojë brenda pak vitesh, duke e bërë periudhën deri në vitin 2027 një fazë vendimtare për rendin ekonomik dhe politik botëror.
Sistemet demokratike të qeverisjes janë ndërtuar për të reaguar ngadalë, përmes debatit, kompromisit dhe proceseve të gjata legjislative.
Kështu, rreziku më i madh për Kosovën nuk është vetëm humbja e disa vendeve të punës, por margjinalizimi strukturor si shtet dhe si shoqëri. Në një botë ku konfliktet zhvillohen përmes sulmeve kibernetike, manipulimit informativ dhe sistemeve autonome, një shtet me kapacitete të kufizuara digjitale bëhet më i cenueshëm. Nëse infrastruktura jonë kritike, institucionet publike dhe hapësira informative mbeten teknologjikisht të pambrojtura, rreziku është serioz. Prapambetja teknologjike përveç se është çështje ekonomike, është edhe çështje sovraniteti.
Nëse ciklet e inovacionit global maten me muaj, ndërsa ciklet tona politike me mandate katërvjeçare dhe reforma që zvarriten me vite, hendeku është edhe zhvillimor. Një ekonomi e vogël, me produktivitet të ulët dhe varësi nga remitencat, që nuk arrin të adoptojë dhe të prodhojë teknologji të re, rrezikon të kthehet në periferi digjitale.
Zhvillimet e shpejta në AI janë test për vetë aftësinë e Kosovës për të funksionuar si shtet modern në një rend global që po transformohet me shpejtësi. Pyetja thelbësore për Kosovën është nëse do të vazhdojmë ta trajtojmë AI si një trend periferik teknologjik, apo si një transformim strukturor që kërkon rishikim të thellë të politikave në arsimi, punësim, inovacion dhe zhvillim ekonomik.
Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu / K2.0