Zbehja e afektit kolektiv të shpresës në Kosovën e pas pavarësisë.
Viti 2026 shënon përvjetorin e 18-të të Pavarësisë së Kosovës, moment ky i shpresës dhe triumfit që erdhi pas jo pak episodeve të dhunës dhe katastrofave njerëzore. Shekulli XX u karakterizua gjerësisht nga politika shtypëse ndaj popullatës shqiptare të Kosovës, duke kulmuar me dhunën shtetërore serbe gjatë viteve të ‘90-a dhe luftën e viteve 1998–1999. Me shpalljen e shtetit të ri, u krijua një çarje nga kjo e kaluar dhe u hap një orientim i ri drejt një të ardhme që definohej si “evropiane”.
Në po atë ditë të rrallë të entuziazmit kolektiv, në një poster të gjatë të zbuluar në Prishtinë pranë skulpturës tipografike “NEWBORN”, shkruhej në gjuhën angleze: “Një jetë e re dhe një shpresë e re ka lindur”. Posteri kodifikonte premtimin kyç të projektit shtetëror liberal-demokratik, sipas së cilit, trajektoret jetësore të atyre që u ishte privuar shpresa nga sistemet e mëparshme politike, do të mund të zhvilloheshin përtej paracaktimit etnik, klasor e gjinor. Sipas këtij projekti, të gjithë do ecnin bashkërisht dhe të barabartë drejt kësaj të ardhmeje. Pikërisht në vitin 2008, kosovarët ishin renditur në krye të anketës Gallup si populli më optimist në botë. Ishte e qartë se për kosovarët, projekti i shtetit të ri bartte në vete pritshmëri të mëdha.
Më shumë se një dekadë më vonë, në vitin 2021, fillova një hulumtim në një lagje me popullsi të dendur, pranë zonës industriale të braktisur në qytetin e Mitrovicës. Aty po qëndroja në kuadër të një projekti hulumtues antropologjik lidhur me shpresën si afekt i fuqishëm kolektiv, i mobilizuar gjatë dhe pas pavarësisë.
Po atë vit, mësova për ekzistencën e një grafiti në Mitrovicë, i cili binte dukshëm në kundërshtim me posterin e zbuluar në Prishtinë para më shumë se një dekade. Lajmin për ekzistencën e këtij grafiti, e kisha marrë nga një grua e re nga Mitrovica, pasi e kishte postuar atë në rrjetet sociale. Dikush kishte përdorur tullat e një muri në Mitrovicë, për të shkruar në gjuhën angleze: “Shpresë ka, por jo për ne”.
Nuk dihej koha e saktë kur grafiti ishte bërë. Pa autorësi dhe pa kontekst shtesë, kjo deklaratë përçonte mesazhin se shpresa mund të ekzistojë në kuptimin abstrakt, vetëm për ta përmbysur atë më pas ironikisht, duke shpalosur mungesën e shpresës si sentiment kolektiv në kontekstin e një dekade pas pavarësisë.
Këtë këndvështrim e përforcoi më tutje edhe hulumtimi im, në të cilin u analizua, ndër tjera, fakti se si shteti i ri i Kosovës pas pavarësisë rikonfiguroi gruarinë (në anglisht: womanhood) në kuadër të agjendës së shtetndërtimit dhe evropianizimit, përmes promovimit të figurës së “gruas së re kosovare” që paraqitej si e pavarur, e emancipuar dhe e integruar mirë në ekonomi e shoqëri.
Megjithatë, ky ideal nuk përkoi me realitetin, pasi që përvojat reale të grave në Kosovë u formësuan nga pabarazi të vazhdueshme socio-ekonomike e gjinore. Si pasojë e këtij realiteti, shpresa fillestare e njerëzve për një të ardhme më të mirë, individuale dhe kolektive, që pritej të vinte me shpalljen e shtetit të ri, me kalimin e kohës, u zbeh. Madje u kthye në zhgënjim.
Trajektoret jetësore të grave të reja dukej se po përcaktoheshin nga pozicionet ekzistuese klasore, normat dominuese gjinore dhe pritshmëritë farefisnore. Pavarësisht përpjekjeve të tyre për edukim dhe punësim, e ardhmja e grave, sidomos për ato me prapavijë më pak të privilegjuar socio-ekonomike, mbeti e ngurtë dhe e kufizuar.
Andaj, pyetja që shtrohet është si erdhi deri te kjo rënie e shpresës në Kosovën e pas pavarësisë, e cila shfaqet qartë përmes kontrastit mes posterit të zbuluar në vitin 2008 dhe grafitit në Mitrovicë?
“Gruaja e re kosovare”
Derisa vëmendja në këtë përvjetor të pavarësisë u përqendrua përsëri tek rëndësia e kësaj date, sigurisht se ekziston një tundim legjitim për të reflektuar pozitivisht lidhur me arritjet e deritanishme dhe potencialin e Kosovës për të ardhmen. Mirëpo, çdo orientim drejt së ardhmes kërkon vëmendje të shtuar ndaj pikëpamjeve të atyre që qëndrojnë në hapësirën mes premtimeve shpresëdhënëse dhe zhgënjimeve.
Për t’i kuptuar këto pikëpamje, nevojitet një analizë dydimenzionale e vetë shtetndërtimit. Në njërën anë janë shpresat, imagjinarja dhe premtimet e projektuara nga udhëheqësit/et politkë/e të vendit, me rastin e shpalljes së pavarësisë. Ndërsa në tjetrën janë realitetet konkrete të formësuara nga parime të caktuara të jetës ekonomike dhe sociale, pas periudhës së pavarësisë, përfshirë këtu prioritetet e shtetndërtimit, shpërndarjen e burimeve, e veçmas kush përfiton nga to.
Interpretime themelore të nocionit të shpresës në antropologji theksojnë se shpresa nuk lind vetvetiu, por prodhohet brenda kushteve historike e praktikave specifike që përcaktojnë cilat shpresa janë apo jo të realizueshme. Disa shpresa janë thjesht të pa imagjinueshme në disa kushte dhe periudha kohore.
Në periudhën e pasluftës, projekti shtetëror i Kosovës ka qenë burim kryesor i shpresës. Imagjinata e shtetit të ri bartte premtimin e një të ardhmeje “evropiane” që do të ofronte një jetë më të mirë, duke përfshirë një gamë të gjerë shtresash shoqërore, të përjashtuara më parë nga vizionet shtetërore.
Në mesin e këtyre shtresave shoqërore ishin edhe gratë e reja.
Në periudhën e para luftës, situata nuk kishte qenë e tillë. Për shembull, brenda hierarkive etnike e gjinore si shqiptare në Jugosllavi, gratë kanë përfituar shumë pak nga progresi modernist jugosllav, i cili në vizionet e tij të zhvillimit përfshiu një shtresë relativisht të ngushtë, kryesisht urbane.
Grave të reja iu dha një rol parësor, ndonëse simbolik, në vizionet e shtetit të ri: të përfaqësonin imazhin ideal të shtetit të ri tek audiencat e jashtme dhe të ofronin një model të kosovares ideale, që do të ndiqej nga audiencat e brendshme.
Prandaj, periudha e pasluftës, veçanërisht pavarësia, krijoi nevojën për ridefinim të kësaj politike konform idesë së krijimit të shtetit liberal-demokratik. Grave të reja iu dha një rol parësor, ndonëse simbolik, në vizionet e shtetit të ri: të përfaqësonin imazhin ideal të shtetit të ri tek audiencat e jashtme dhe të ofronin një model të kosovares ideale, që do të ndiqej nga audiencat e brendshme. Por, si ndodhi kjo konkretisht?
Edhe një lexues/e që shumë pak e njeh kontekstin e Kosovës, mund të hamendësojë menjeherë se cilat gra janë figurat kyçe që përfaqësojnë sot Kosovën në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Figura të grave të reja si Majlinda Kelmendi, Dua Lipa dhe Rita Ora janë paraqitur në ikonografinë nacionale si prototipi i ri i kosovares shembull.
Këto figura paraqesin idenë se identiteti i një gruaje ideale kosovare mund të zhvillohet përtej tiparit kyç të amësisë dhe strukturave tradicionale të familjes. Në kontrast me modelin e gruarisë që ka qendër amësinë, kosovarja e shtetit të ri paraqitet si një grua “evropiane”, liberale dhe autonome, suksesi i së cilës ngritet mbi baza meritokracie.
Të bëmat indivduale të grave, u cilësuan njëkohësisht si kontribute kolektive të shtetndërtimit.
Realisht, projekti shtetëror e legjitimoi këtë model të ri të gruarisë përmes mekanizmave ligjor, vizual e simbolik, përfshirë në diskursin zyrtar. Fushatat, dekoratat dhe shpërblimet e dhëna ndaj këtyre grave me sukses ndërkombëtar nga figura të larta shtetërore, e afirmuan edhe më tej këtë model. Portretizimi i tyre si ikona nacionale zuri vend të rëndësishëm në imagjinatën kulturore kosovare dhe si i tillë personifikoi në mënyrë të thjeshtëzuar një qytetare dhe subjekt ideal të shtetit të ri.
Mirëpo, konstrukti i kosovares ideale që mishërohet nga figurat e lartpërmendura nuk përbën vetëm një konstrukt ideologjik, estetik dhe simbolik, por gjithashtu konkretizon premtimet e projektit shtetëror për gratë e reja.
Tiparet kyçe që këto figura përfaqësojnë, siç janë: arritjet profesionale, autonomia, dhe vetëzhvillimi, u paraqitën si të arritshme jo përmes sferave ekzistuese tradicionale, por përmes atyre institucionale: mundësive në edukim dhe integrimit në ekonomi. Këto sfera u paraqitën gjerësisht si shtigje që do të mundësonin arritjen e disa prej nocioneve të suksesit neoliberal të mishëruar nga këto figura: një status më të lartë shoqëror dhe një jetë më të mirë, si dhe përforcimin e përkatësisë kombëtare. Pra, të bëmat indivduale të grave, u cilësuan njëkohësisht si kontribute kolektive të shtetndërtimit.
Megjithatë, ky model premtues i gruarisë ishte vështirë i arritshëm. Në esencë, ky model ishte konform kornizës neoliberale, e cila vë produktivitetin dhe përgjegjësinë individuale në thelb të sistemit etik dhe politik. Si i tillë, ky sistem nuk ofroi mekanizma të mjaftueshëm strukturor për adresimin e pabarazive ekzistuese socio-ekonomike dhe gjinore në Kosovë, apo për arritjen e pritshmërive për zhvillim ekonomik, përtej idesë së integrimit të tregut.
Ky sistem arriti t’i lëkundë, por jo t’i çrrënjosë normat dhe pritshmëritë gjinore, ku gratë negociojnë vazhdimisht pozicionin e tyre në sferat e shumëfishta ekonomike, sociale dhe familjare apo farefisnore.
Në fakt, gratë e reja vazhdojnë të përballen me një realitet të ndërlikuar. Ndonëse shteti promovoi pjesëmarrjen e grave në sferën publike dhe ekonomike si një shteg i drejtpërdrejtë drejt një të ardhmeje të premtuar, kjo pjesëmarrje nuk arriti t’i transformojë plotësisht jetët e tyre. Institucionet mbeten të dobëta në ofrimin e mundësive të barabarta. Qasja e grave në punësim të kënaqshëm është e e kufizuar dhe disproporcionale, në krahasim me burrat, ndërkaq burimet ekonomike nuk u ndanë në mënyrë të barabartë.
Për më tepër, ky sistem arriti t’i lëkundë, por jo t’i çrrënjosë normat dhe pritshmëritë gjinore, ku gratë negociojnë vazhdimisht pozicionin e tyre në sferat e shumëfishta ekonomike, sociale dhe familjare apo farefisnore. Kështu, u prodhua një tension i vazhdueshëm meqë nga njëra anë, ekziston një imperativ institucional për vetëzhvillim dhe integrim si shteg për pavarësi dhe jetë më të mirë, ndërsa nga ana tjetër munguan kushtet strukturore që do ta mundësonin atë.
Këtu vjen në shprehje tkurrja dhe humbja e shpresës së qytetarëve, posaçërisht grave. Ajo buron nga mospërputhja e pritshmërive që ata/o kishinnga shteti i ri i Kosovës, me realitetin konkret në të cilin vetëm një kategori e ngushtë shoqërore gëzon kapital shoqëror dhe ekonomik për t’i realizuar ato pritshmëri. Për kategoritë shoqërore që nuk kishin qasje as në kapital shoqëror, e as në atë ekonomik, shpresa që fillimisht u duk se ishte e realizueshme, dalëngadalë u zbeh, duke u shndërruar në pritje te tejzgjatur.
Pas shpresës, përballë realitetit
Për individë dhe grupe më pak të privilegjuara,sikundër për shumë gra të reja, shteti ideal evropian që u premtua se do të ndryshojë trajekoret individuale dhe kolektive për të mirë, filloi të ndihet i largët dhe i paarritshëm. Arsyeja për këtë shkëputje me realitetin kërkon gjithsesi edhe shqyrtim të organizimit politiko-ekonomik të shtetndërtimit, me theks të veçantë të mënyrës se si shpërndaheshin dhe menaxhoheshin burimet materiale.
Pa dyshim, konfigurimi i shtetit të Kosovës, sipas modelit demokratik-liberal, ishte parapërcaktuar shumë kohë para pavarësisë. Por për të qenë shtet, në radhë të parë, duhet të plotësohen disa kritere dhe parime specifike, gjë që reflekton edhe në prioritetet dhe politikat të cilat vendi duhet t’i ndjekë. Në rastin e Kosovës, përcaktimi në këtë model të shtetit, ka krijuar mungesë baraspeshe mes sektorëve të ndryshëm të shtetit, duke ndikuar në mënyrën se si burimet materiale shpërndahen dhe përdoren brenda strukturave shtetërore.
Sipas studiuesve Zaum dhe Knaus, për shembull, 2.7 miliardë dollarë ndihma, duke përjashtuar ndihmën humanitare, që iu dhanë Kosovës gjatë kohës së UNMIK-ut (1999-2008), i dhanë përparësi ndërtimit të themeleve të ashtuquajtura “të forta” apo “maskuline” të shtetit, siç janë institucionet politike dhe sistemin e drejtësisë. Prioriteti i dytë i misionit ishin masat e ndërtimit të institucioneve, veçanërisht reformat e sundimit të ligjit. Ndërsa, prioritetet më pak të rëndësishme, me më pak se 5% të të gjithë ndihmës së donatorëve ishin arsimi, shëndetësia dhe bujqësia.
I gjithë fokusi i pasluftës në sundimin e ligjit ngushtësisht nënkuptonte përpjekje për të siguruar rendin, sigurinë dhe stabilitetin që të shmangej konflikti etnik, si dhe për të krijuar një shoqëri shumë etnike.
Formimi i institucioneve politike dhe i ndarjes së pushtetit, si dhe promovimi i sigurisë dhe sundimit të ligjit vazhdoi të prioritizohej edhe pas pavarësisë. Sërish, fokusi kryesor i EULEX, për shembull, ishte forcimi i policisë, kontrollit kufitar, gjyqësorit dhe luftimi i korrupsionit. Në praktikë, i gjithë fokusi i pasluftës në sundimin e ligjit ngushtësisht nënkuptonte përpjekje për të siguruar rendin, sigurinë dhe stabilitetin që të shmangej konflikti etnik, si dhe për të krijuar një shoqëri shumë etnike.
Të mos harrojmë po ashtu se modeli i projektit të shtetit të Kosovës evoluoi së bashku me kornizën neoliberale. Në këtë kontekst, shteti siguron funksionimin e tregut të lirë, privatizimin e aseteve publike dhe përfshirjen e qytetarëve në treg të punës, më përpara se sa përfshirjen shoqërore. Çështjet si drejtësia sociale, për shembull, në rastin më të mirë, u trajtuan nga një grup agjencish kombëtare e ndërkombetare, organizata të shoqërisë civile, e shpesh herë, përpjekjet për mirëqenie iu lanë të zgjidheshin nga vetë qytetarët.
Rol në suksesin apo dështimin e këtyre përpjekjeve patën strukturat ekzistuese siç janë rrjetëzimet familjare dhe shoqërore, sidomos në aspektin e punësimit. Pozicionet gjinore dhe përparësitë klasore, të trashëguara apo të sapofituara, patën ndikim poashtu. Prandaj, nuk është e rastësishme që te kategoritë që u gjendën në skaje të këtyre strukturave si gratë e reja, të përballen me humbje të shpresës.
Mospërputhja e përgjithshme mes premtimeve të mëdha dhe realitetit, është më tepër rezultat i përqendrimit të qëllimshëm të pushtetit dhe burimeve ekonomike në sektorë dhe grupe të caktuara shoqërore.
Si rrjedhojë, zbehja e shpresës nuk mund t’i atribuohet vetëm papjekurisë së shtetësisë së Kosovës. Kjo zbehje nuk duhet parë as vetëm si rezultat i kulturës lokale politike, siç supozohet shpesh nga akterë vendas dhe ndërkombëtar kur raportohet rreth mungesës së zhvillimit ekonomik dhe “progresit” kombëtar.
Mospërputhja e përgjithshme mes premtimeve të mëdha dhe realitetit, është më tepër rezultat i përqendrimit të qëllimshëm të pushtetit dhe burimeve ekonomike në sektorë dhe grupe të caktuara shoqërore, si pjesë e pashmangshme e procesit të ndërtimit të shtetit liberal-demokratik.
Prandaj, kur flasim për këtë mospërputhje, theksi duhet të vihet më gjerësisht tek funksionimi i këtij modaliteti të shtetit sot, çfarë procesesh e politikash lokale inkurajon apo kufizon ai përgjithësisht dhe jo vetëm në rastin e Kosovës. Për shembull, aktualisht, po shohim një riorientim të burimeve dhe prioriteteve politike botërore drejt përforcimit të sigurisë dhe kjo reflektohet edhe në veprimet e shtetit të Kosovës. Investimet e vazhdueshme të qeverisë së fundit për militarizim janë një shembull i qartë i kësaj prirjeje.
Kështu, mund të vijmë në përfundim se ky model në vete lë hapësirë për përjashtimin e disa kategorive duket thelluar pabarazitë, dhe pikërisht brenda këtij terreni të pabarabartë në realizimin e premtimeve, fjalia “shpresë ka, por jo për ne”, merr kuptim të ri.
Shpresë për kë?
A do të thotë kjo se kosovarëve iu ushqye shpresa që kishte një raport të zhdrejtë me realitetin? Ndoshta. Megjithatë, kjo pyetje kufizon këndvështrime më të gjera dhe më të ndërlikuara, pasi e drejton çështjen në një kahje morale: a është dashur të ketë kaq shumë shpresë apo jo? Por qëllimi nuk është të ndalem aty.
Ekziston sot një nevojë urgjente për ne, hulumtuesit në Kosovë, si dhe për hartuesit e politikave apo vendimmarrësit, t’a analizojmë atë me sy të kthjellët. Mënyra se si shihet e ardhmja kërkon një shqyrtim më kritik, jo vetëm nga aspekti i asaj se a ka dhe a duhet të ketë shpresë, por të diskutohet po ashtu se për kë janë të realizueshme shpresat dhe për kë jo. Jo rrallëherë fushatat politike në Kosovë dhe botë janë ndërtuar në mobilizimin e shpresës vetëm për të prodhuar zhgënjime të reja.
Deklarata e ilustruar në fillim “shpresë ka, por jo për ne” mund të shërbejë si përgjigje ndaj pyetjeve të mësipërme. Kjo fjali e shfaqur në grafitin e Mitrovicës, në fakt është frazë e shkrimtarit Franz Kafka në përgjigje të pyetjes së mikut dhe biografit të tij, Max Brod, në Evropën e trazuar të viteve të ‘20-a, kur ai e pyeti nëse Kafka mendonte se kishte ende shpresë në univers. Para se të shpërfaq pesimizëm, ky qëndrim ironik tregon qartësi dhe përafri me realitetin. Ajo që është e sigurt është se thënia përçon një ndjenjë të potencialit të papërmbushur dhe një të ardhme që edhe mund të ndodhet diku.
Mund të ngjajë se shpresa për shtetin që do të krijohej dhe kufizimet nga jashtë e shpërqendruan dhe privuan shoqërinë kosovare nga pyetja thelbësore: çfarë lloj shteti po ndërtohet dhe për kë?
Në tri ditët e ardhshme, kur shkova për ta kërkuar grafitin në Mitrovicë, teksa ecja nëpër shtigjet e vogla të mbuluara me pluhurin dhe nxehtësinë e gushtit, nuk arrita dot ta gjeja atë. Mund të jetë fshirë, lyer, ose të ketë pasur një vendndodhje krejt tjetër. Sidoqoftë, thënia që u nda në media sociale shërben si “thirrje” dhe “tërheqje vëmendjeje”. Si pasqyrim i kthjellët i realitetit, shton pyetje dhe kritikë, si dhe nevojë për të kërkuar kushte që mundësojnë shpresa të reja, ndoshta më të realizueshme.
Në fund, mund të ngjajë se shpresa për shtetin që do të krijohej dhe kufizimet nga jashtë e shpërqendruan dhe privuan shoqërinë kosovare nga pyetja thelbësore: çfarë lloj shteti po ndërtohet dhe për kë? Kjo pyetje realisht nuk ka marrë ende përgjigje të mirëfilltë. Debati për brendësinë e tij e këtij shteti dhe përfshirja e individëve dhe grupeve karshi resurseve të tij, është kyç që shpresa dhe zhgënjimi në përvjetorët e ardhshëm të mos e rëndojnë më tej përditshmërinë e njerëzve të lodhur nga barra e pritjeve.
Imazhi i ballinës: K2.0