Home Froni Kritikë e vogël për kritikun e madh

Kritikë e vogël për kritikun e madh

A+A-
Fshije

Më duket se Rexhep Qosjen e kam takuar dy herë. Të parën nga shumë afër, por s’jam i sigurt nëse ishte ai. Të dytën ishte vërtet ai, po nga largësia e madhe pothuajse nuk njihej.

“Shih, Rexhep Qosja!”, tregoi A. nga një burrë që po bënte xhiro në sipërfaqen e xhamtë të patinazhit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Ishte fundi i viteve ’80. Unë po i kaloja pushimet e dimrit te vajza e axhës, studente e Pedagogjisë në Prishtinë. Nuk e di nëse kisha dëgjuar më parë për Qosjen, po atë mbrëmje dëgjova shumë. Nuk ishim të sigurt nëse ishte ai. I shëmbëllente aq shumë imazhit në botimin e atëhershëm të “Vdekja më vjen prej syve të tillë”: ballë i madh, syze të mëdha, mjekër e dendur e zezë, sako, këmishë e kravatë të shtrënguar mirë.

Në fillim të viteve ’90, në Basel, ishim të sigurt: Rexhep Qosja do t’u fliste mërgimtarëve në një takim për shqiptarët në kohën e pluralizmit. Ai kishte spikatur me publicistikën në mediet shqiptare dhe ato të ish-Jugosllavisë, e njihte i madh e i vogël. Interesimi ishte aq i madh, sa atë ditë nuk gjendej vendparkim në qytet. Në sallën e stërmbushur Qosjen mund ta shihje veç me dylbi!

Rexhep Qosjen e kam njohur vërtet nga vepra e tij. Kam lexuar krejt çka më ka rënë në dorë; librat i kam kërkuar ku janë e ku s’janë, i kam blerë nën dorë e mbi dorë, me lek e pa lek, madje kam shkëmbyer një të tijin me dy-tri të tjerë. Leximi i tij është përjetim i këndshëm. Fjalitë janë të gjata, të sakta, elegante; tekstet të mbarsuara me kulturë, dije, mendim, emocion e imagjinatë. Shqipja e tij është e kulluar.

Fushat që ka lëvruar janë të gjera: kritikë letrare, histori letërsie e politike, eseistikë, roman, dramë, ditar, polemikë dhe publicistikë politike. Specialistët thonë se ka trajtuar me kompetencë tema të paprekura ose tema të njohura me metodologji të re, duke pasuruar studimet albanologjike.

Veprën e tij e përshkojnë dy mendime: letërsia shqiptare është një dhe e pandarë, pavarësisht trevës ku krijohet; dhe bashkimi kombëtar është zgjidhja më e drejtë e qëndrueshme e çështjes shqiptare në Ballkan.

Ideologjikisht Qosja rreshtohet majtas. Por shenjtëri mbi të gjitha shenjtëritë për të janë e drejta dhe e vërteta. Këto e kanë frymëzuar për studime, krijime, ligjërime dhe për t’i mësyrë çdo sherri me këdo.

Në opinionin shqiptar, më tepër se vepra e tij letrare e historike, e ka promovuar sherri publicistik. Grindja me intelektualët jugosllavë, e përmbledhur te “Populli i ndaluar”, i solli pëlqim. Më pas imazhi iu gërvisht nga sherri me një pjesë të parisë kulturore të Kosovës, që zë fill me “Morfologjia e një fushate”.

Me këtë segment kundërshtitë vazhduan deri në fund. Kur ai mori në dorë politikën e Kosovës, Qosja kaloi në kritik politik e shoqëror. Ligjërimi i tij mbeti i pakursyer e i papërmbajtur, por jo i pambështetur e krejt i paarsyeshëm. Çka e turbullon është natyra patologjike që merr sherri nganjëherë. Ky zell i solli mosdurim te një pjesë e opinionit, te tjetra rriti namin e tij intelektual e moral.

Qosja e përkryen zejen e sherrit publicistik në kurriz të krijimtarisë shkencore, historike e letrare. Ai denoncon korrupsionin në çdo trajtë dhe e ndien veten të detyruar t’i kundërshtojë menjëherë e fortë gjërat që bien ndesh me të vërtetën e të drejtën. Dhe duket sikur ky sherr i shijon.

Në fillim të viteve ’90 iu sul botërisht Sali Berishës, kryesisht për pranimin e parimit të mosndryshimit të kufijve, dhe nuk iu nda goditjes së tij. Në fund u përfshi në sherr me Ismail Kadarenë, duke e rrëzuar nga froni i shkrimtarit të madh, për të cilin dikur kishte përdorur cilësorët më sipërorë. Ky kuvendim i inatosur publik i vuri ca gjëra në vend, por nuk la shijen më të mirë.

Qosja nuk është i çliruar nga kute të dyfishta ndaj njerëzve e ngjarjeve. Ka kursyer ata që i kanë përkëdhelur sedrën, madje u ka shërbyer duke sfiduar opinionin publik. Parimin e mosndryshimit të kufijve e kanë pohuar edhe kundërshtarët e Berishës, por ndaj tyre e mbajti dorën.

Pena e Qosjes u bë ujvarë mjalti për Kryeministrin e fundit të Shqipërisë, tek i cili hedhin valle veset më të shëmtuara të politikanëve shqiptarë marrë bashkë. Këtu ai braktisi interesin publik dhe parimin e së vërtetës e së drejtës: bëri shurdhin e të verbrin për kanabisimin e vendit, kriminalizimin e politikës, manipulimin e zgjedhjeve, korrupsionin, pazaret me burimet e Shqipërisë dhe vëllazërinë me Serbinë në kurriz të Kosovës.

Në fund, Qosja i zuri në befasi të gjithë me amanetin për mënyrën e varrosjes. I zhgënjeu si kundërshtarët, që e akuzonin për kult individi, ashtu edhe ithtarët e verbër. Por mund t’i kishte përgatitur opinionit një befasi edhe pas vdekjes. Në ditarin “Dëshmitar në kohë historike” rrëfen për tekste të hershme të pabotuara dhe për shënime të vona, të cilat i ka lënë trashëgimi…