19 nëntor 1863 *1
Para tetëdhjetë e shtatë vjetësh të parët tanë e sollën në botë një komb, të nxënë në liri dhe që i blatohet parimit se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë.
Tani jemi përfshirë në një luftë të madhe qytetare, për ta dëshmuar nëse ky komb ose çfarëdo kombi, kaq i sendërtuar dhe kaq i përkushtuar, mund t’ia dalë. Jemi tubuar në një fushëbetejë të madhe të kësaj lufte. Jemi tubuar që ta shugurojmë një pjesë të saj
si vendprehjen e fundit për ata që dhanë jetën e tyre këtu, që ky komb të mund të jetojë. Ta bëjmë këtë, është plotësisht me mend dhe me vend.
Mirëpo, në kuptimin më të gjerë, këtë truall nuk mund ta shugurojmë, nuk mund ta hirësojmë, nuk mund ta shenjtërojmë. Burrat trima, të gjallë e të vdekur, që luftuan këtu, e kanë hirësuar atë përtej mundit tonë për të shtuar ose pakësuar diçka. Bota nuk do ta vërë re, e as që do të përmend gjatë kohë se çfarë themi ne këtu, por ajo nuk mund ta harrojë kurrë se çfarë bënë ata këtu. Më saktë, na takon neve të gjallëve që t’i përvishemi punës së pambaruar të cilën ata e shtynë përpara me kaq fismëri. Më drejtë, na takon neve që t’i përvishemi kësaj pune të madhe që ka mbetur para nesh – që nga këta të rënë faqebardhë të frymëzohemi për një përkushtim më të madh për çështjen për të cilën ata dhanë të gjithë përkushtimin e tyre, – që këtu të konstatojmë me vendosmëri se këta të rënë nuk do të kenë vdekur kot – që ky komb, me ndihmën e Zotit, do të përjetojë një lindje të re të lirisë – dhe se qeverisja e popullit nga populli dhe për popullin nuk guxon të fshihet nga faqja e dheut.
- “Gettysburg Address” konsiderohet si një ndër fjalimet më të famshme të presidentit të gjashtëmbëdhjetë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Linkolnit. Vërtet, ajo konsiderohet si një ndër fjalimet më të famshme të historisë së botës dhe si testament i këtij presidenti për vendin e tij. Ai u mbajt me rastin e përurimit të një varreze luftëtarësh në Fushëbetejën e Getisburgut dhe e përmbledh identitetin politik të Shteteve të Bashkuara. Ky fjalim i Linkolnit konsiderohet si kryevepër retorike dhe pjesë e trashëgimisë kulturore e historike të SHBA-së. ↩︎