Home Froni Konflikti të cilit nuk i shihet fundi

Konflikti të cilit nuk i shihet fundi

A+A-
Fshije

Përplasjeve të shumta ushtarake në Lindjen e Mesme iu shtua edhe më i fundit, ai ndërmjet Izraelit e Iranit, në të cilin janë përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), konflikt me hope dhe që po prodhon pasoja të cilat po i ndjen tërë bota.

Meqenëse zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve duhet të jetë rruga e duhur, mënyra se si po zhvillohet ky konflikt lenton përshtypjen sikur palët e përfshira nuk po bëjnë aq sa duhet për t’i dhënë fund. Përkundrazi, fushata e fundit e sulmeve të ndërsjella lënë të kuptohet që konflikti mund edhe të zgjerohet. Në horizont shfaqet mundësia e përfshirjes së palëve të tjera. Me këtë rast, konflikti do të përshkallëzohej në përmasa rajonale, me pasoja që mund të prekin sigurinë ndërkombëtare.

Sipas historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, edhe konfliktet më të ashpra, megjithatë kanë përfunduar në tryezën e bisedimeve. Mirëpo, në rastin konkret, bie në sy shterpësia e diplomacisë, ndikimi i së cilës nuk po arrin ta mposhtë gjuhën e armëve. Kjo logjikë po e bën më të vështirë arritjen e një ujdie e cila do të prodhonte një marrëveshje të qëndrueshme.

Lindja e Mesme është rajoni më i trazuar në botë. Spiralja e dhunës nuk po merr fund. Shpërthimi i vazhdueshëm i konflikteve dëshmon se arkitektura e sigurisë në rajon vazhdon të mbetet e brishtë. Pasojat janë të dukshme dhe të dhimbshme. Në rrafshin njerëzor kemi humbje jetësh, zhvendosje të popullsisë, krizë humanitare; në rrafshin ekonomik kemi edhe luhatjen e çmimeve të energjisë, pasigurinë e tregjeve ndërkombëtare dhe ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit; në rrafshin gjeopolitik kemi rrezikun e përfshirjes së aktorëve të tjerë, të polarizimit të aleancave dhe të dobësimit të stabilitetit rajonal.

Ky konflikt ka ndikim edhe në rendin botëror – sa më shumë që konfliktet zgjidhen me forcë dhe jo me dialog, aq më shumë dobësohet besimi te mekanizmat ndërkombëtarë dhe te diplomacia.

Prandaj, që të arrihet paqja afatgjate, përpjekjet nuk duhet të shihen përmes logjikës së një loje me shumë zero (zero-sum game), ku fitorja e njërës palë nënkupton humbjen e tjetrës. Përmasat e pasojave dëshmojnë se kemi të bëjmë me një lojë me shumë negative (negative-sum game), ku humbës, në fund, janë të gjitha palët dhe stabiliteti ndërkombëtar në tërësi. Në fund të fundit, diplomacia na mëson parimin e thjeshtë: tërhiqe perin, mos e këput. Zbatimi i kësaj qasjeje në praktikë mund të sjellë paqen afatgjate.