Home Skedari Kriza globale e punësimit

Kriza globale e punësimit

A+A-
Fshije

Popullsia e botës po rritet dhe, sipas OKB-së, ka kaluar tetë miliardë. Prej tyre, 65,7% janë të moshës 15–65 vjeç. Në dekadën e ardhshme, rreth 1,2 miliardë të rinj do të kërkojnë punë, ndërsa sipas Bankës Botërore (BB), deri më 2035 do të mungojnë 800 milionë vende pune në tregjet në zhvillim. Kjo paraqet shqetësim të madh dhe kërkon veprim të menjëhershëm.

Puna është burim dinjiteti, shprese, sigurie dhe pavarësie ekonomike. Megjithatë, bota përballet me sfida të ndryshme, si luftërat, teknologjitë e reja, paqëndrueshmëria e tregjeve, por edhe ndryshimet demografike, globalizimi dhe mungesa e ujit e ushqimit.

Përballë kësaj situate, BB-ja ka ndërtuar një strategji për krijimin e vendeve të punës, e cila mbështetet në tri shtylla. E para është krijimi i infrastrukturës fizike dhe njerëzore, përmes investimeve në energji, transport, arsim dhe shëndetësi. E dyta është krijimi i një mjedisi të favorshëm për biznesin, me ligje të qarta dhe rregulla të parashikueshme. E treta është mbështetja e bizneseve për t’u zgjeruar, veçanërisht në infrastrukturë, energji, agrobiznes, shëndetësi, turizëm dhe prodhimtari.

Deri në vitin 2050, mbi 85% e popullsisë së botës pritet të jetojë në shtetet në zhvillim. Kjo do të sjellë zgjerim të fuqisë punëtore, rritje të konsumit dhe të tregjeve. Nëse veprohet me kohë, ndryshimet demografike mund të shndërrohen në motor zhvillimi dhe stabiliteti; në të kundërtën, ato mund të thellojnë krizat dhe ngecjen. / lsh