Home Froni Në Tiranë po thërret telalli

Në Tiranë po thërret telalli

A+A-
Fshije

Ditëve të fundit po thuhen gjëra të çuditshme në opinionin publik. Njëra prej tyre është: “Persona nga Kosova dhe Tetova hedhin gurë në bulevard dhe fshehin dorën”. E ka thënë Kryetari katërmandator i Qeverisë së Shqipërisë. Pas Greqisë e Iranit, gurëve të atyre që po ia trazojnë paqen Naltgjatësisë u janë shtuar edhe kosovarët e tetovarët.

Duket sikur atyre që kanë mbi dy mandate në pushtet, që nuk bëjnë kurrë zgjedhje të ndershme dhe thonë “nga pushteti largohem kur dua vetë”, kur u shtrëngohet laku në grykë, rreziku gjithmonë u vjen nga jashtë. Nuk marr përsipër të flas për Greqinë, Iranin apo Kosovën. Dua të them dy fjalë për Tetovën, të cilën besoj se e njoh më mirë.

Kur ke thënë “…nga Kosova dhe Tetova”, ke dashur të thuash – nga jashtë. Sepse ata nga Korça e Shkodra, që përbëjnë shumicën e madhe në bulevard, nuk i shquan. E “nga jashtë” domethënë sërish i huaj; dhe i huaj, në këtë kontekst, është një eufemizëm për armik. Vetëm kjo rrëshqitje, që dashamirët do ta quanin frojdiste, meriton një kuvendim më të thelluar. Por le të merremi me kuptimin më të pafajshëm të akuzës: nuk është e vërtetë se në Tetovë nuk e duan Naltgjatësinë dhe mbështesin rrëzimin e tij.

Në Tetovë shoh një përkrahje të pazakontë për Naltgjatësinë në shumë segmente shoqërore. Më së forti e admirojnë enveristët, përfshirë autorin e këtyre rreshtave në adoleshencën e vet. Përveç trashëgimisë politike, te Naltgjatësia shohin koreografinë e fjalimeve të Enver Hoxhës. Ai i imiton çuditshëm gjestet e gjyshit të tij politik, Enver Hoxhës (dhe babait të tij politik, Fatos Nanos), ndonëse politikat e tij nuk kanë asnjë gjurmë nga zemërimi i Enver Hoxhës kundruall Jugosllavisë.

Naltgjatësinë e admirojnë edhe segmentet konservatore dhe filoturke, sidomos për marrëdhëniet e tij të ngrohta me Rexhep Taip Erdoganin, të cilin në Tetovë e çmojnë si mik edhe për një histori strehimi në këtë qytet. Një vazhdimësi e këtij segmenti janë “shehërlinjtë e vjetër”, të karakterizuar nga një përgjërim i moçëm për Turqinë, deri te turqishtja si gjuhë shtëpie.

Por Tetova njeh edhe intelektualë e politikanë nga ky komunitet që e refuzojnë osmanizmin te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Ata e ruajnë turqishten më shumë si shprehi ose shenjë prestigji shoqëror. Më tepër promovojnë një lloj aristokracie shoqërore, që i identifikon me Naltgjatësinë: tek ai mund të shohin një zotni që shpërfill mediokritetin, por jo liderin, mënyra e jetesës së të cilit ia kalon me sa fish rrogës së tij.

Laicistët e vërtetë të Tetovës, alla Mustafa Kemal Ataturk, e çmojnë si zotësi të paparë miqësinë e Naltgjatësisë me Izraelin dhe komunitetet e tij në botë. Hebrenjtë për shqiptarët janë prej kohësh model organizimi e solidariteti. Ata mahniten nga shtrëngimi i dorës së Naltgjatësisë me kryeministrin e Izraelit, ndonëse ai është mbase politikani i vetëm që e takon Netanjahun, ndërsa të tjerët e refuzojnë për akuzat që e rëndojnë.

Naltgjatësinë e admiron edhe komuniteti i artistëve: ata të arteve pamore për formimin e tij artistik, të tjerët për fjalët e zgjedhura e metaforat. Por nuk përfillin se ai nuk akuzohet për artin e tij. Nuk vërejnë se ekspozitat nëpër botë i hap vetëm pasi u bë kryeministër. Fiksimi pas arkitekturës është i dyshimtë, ndërsa raportet ndërkombëtare kullat e tij i shohin si vepra të shpëlarjes së parave të pista. Dhe në fund: asnjë fjalë e bukur nuk ka vlerë pa qenë e vërtetë.

Padyshim, Naltgjatësinë e përkrahin edhe votuesit e partisë më të madhe shqiptare në opozitë dhe orbita e saj. Ajo e mbështet pa kursim. Kujtoni si u ngutën të parat ta uronin për fitoren në zgjedhjet – për faqe të zezë – të majit 2025. Partia më e madhe opozitare në Maqedoninë e Veriut, që para pak vitesh e shpalli veten solemnisht ambientaliste, tani ka fshehur kokën si struci dhe s’nxjerr një çerek fjale për flamingot e Shqipërisë dhe folenë e tyre, që kanë trazuar botën.

Naltgjatësinë e përkrahin edhe segmente të tjera, sidomos komuniteti i biznesit. Ai është mik i madh i tij. Një njeri kaq të përzemërt me biznesin nuk e gjen lehtë as te politikanët e majtë, as te shumë të tjerë. Dhe është pikërisht kjo marrëdhënie e pangopur që Naltgjatësinë po e merr në qafë.

Naltgjatësinë e përkrahin ata që nuk preken drejtpërdrejt nga politikat e tij dhe ata që informohen nga televizione si Top Channel e TV Klan, që kanë detyrë t’ia fshehin të zezat e t’ia lartësojnë arritjet. Kështu e përkrahnin më 1996 në Tetovë Sali Berishën. Tetovarët s’kishin sy e veshë për raportimet mbi masakrën zgjedhore të majit 1996, që e derdhi kupën dhe e çoi Shqipërinë buzë greminës.

Sigurisht, dhe për fat të mirë, Naltgjatësinë nuk e përkrahin të gjithë tetovarët. As të gjithë enveristët, konservatorët, “shehërlinjtë”, artistët, biznesi… Sikurse nuk e refuzojnë të gjithë vlenistët. Ka shumë që nuk ia harrojnë përçarjen e shqiptarëve jashtë Shqipërisë, projektin e përbashkët me Vuçiçin, “Ballkani i Hapur”, që synonte izolimin e Kosovës, dhe bëmat e tjera. Nuk mund të mos e shohin arrogancën e qeverisjes së tij. Dielli nuk mbulohet me shoshë. Dhe gjaku nuk bëhet ujë.