Sipas Kombeve të Bashkuara, deri në vitin 2050 rreth 1.5 miliardë njerëz në botë do të jenë 65 vjeç e më shumë. Plakja e popullsisë po bëhet një nga sfidat më të mëdha ekonomike, por sipas OECD-së ajo mund të shndërrohet në mundësi nëse të moshuarit mbeten më gjatë në tregun e punës dhe përfshihen në zhvillimet teknologjike, sidomos në përdorimin e Inteligjencës Artificiale.
Mbajtja e tyre në punë kërkon katër masa.
Së pari, krijimi i formave më të përshtatshme të punës, si orari fleksibël, pensionimi në etapa dhe puna me gjysmorar. Këto u mundësojnë punëtorëve me përvojë të vazhdojnë të japin kontribut dhe të ruajnë të ardhurat.
Së dyti, nxënia gjatë tërë jetës. Përparimi teknologjik kërkon rikualifikim të vazhdueshëm. Edhe pse interesimi për të mësuar Inteligjencën Artificiale është në rritje, shumë punëtorë të moshuar ende nuk kanë qasje të mjaftueshme në trajnim.
Së treti, zbatimin e ligjeve kundër diskriminimit. Hyrja në moshë vazhdon të jetë pengesë për punësim, avancim dhe trajnim. Bizneset duhet të garantojnë mundësi të barabarta, transparencë në pagesë dhe programe mentorimi.
Së fundi, kujdesi për shëndetin dhe mirëqenien. Parandalimi i sëmundjeve dhe politika që nxisin një jetë aktive janë parakushte që të moshuarit të mbeten produktivë. Plakja e popullsisë nuk duhet parë vetëm si barrë, por edhe si mundësi për zhvillim ekonomik e shoqëror. Përvoja e tyre nuk duhet parë si pengesë, por si kapital njerëzor. Punëtorët e moshuar sjellin njohuri, përgjegjësi dhe qëndrueshmëri, cilësi që plotësojnë energjinë dhe aftësitë digjitale të brezave më të rinj. Bashkëpunimi ndërmjet brezave rrit produktivitetin, përmirëson cilësinë e punës dhe ndihmon bizneset të përballojnë mungesën e fuqisë punëtore. Investimi te të moshuarit është investim në një ekonomi më të fortë, më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme për të ardhmen. Kjo është një sfidë që kërkon veprim të përbashkët. / lsh