Home Froni Në Tiranë po thërret telalli

Në Tiranë po thërret telalli

A+A-
Fshije

Ditëve të fundit po thuhen gjëra të çuditshme në opinionin publik. Një nga këto është: “Persona nga Kosova dhe Tetova hedhin gurë në bulevard dhe fshehin dorën”. E ka thënë asnjë më i shkurtër se Kryetari katërmandator i Qeverisë së Shqipërisë. Gurëve të mozaikut të atyre që po ia trazojnë paqën Naltgjatësisë, pas Greqisë dhe pastaj Iranit, i janë shtuar në një farë mënyre edhe kosovarët dhe tetovarët.

Duket sikur këtyre që kanë mbi dy mandate në pushtet, që nuk bëjnë kurrë zgjedhje të ndershme dhe thonë “nga pushteti largohem kur dua vetë”…, kur u shtrëngohet laku në grykë, gjithmonë rreziku u vjen nga jashtë. Nuk marr përsipër të flas për Greqinë dhe për Iranin. As për Kosovën, ndonëse jam shumë i bindur për atdhedashurinë e kulluar kosovare. Unë dua t’i them dy fjalë për Tetovën, të cilën më duket se e njoh më mirë.

Kur ke thënë “…nga Kosova dhe Tetova”, ke dashur të thuash – nga jashtë. Sepse ata nga Korça e nga Shkodra…, që përbëjnë shumicën e madhe në bulevard, nuk i shquan. Dhe – nga jashtë domethënë prapë i huaj. Dhe i huaj në këtë kontekst është një emufemizëm për armik. Vetëm kjo rrëshqitje, të cilën dashamirët do ta quanin frojdiste, e ka hak një kuvendim më të thelluar, po le të merremi me kuptimin më të pafajshëm të kësaj akuze: Nuk është e vërtetë se në Tetovë nuk e duan Naltgjatësinë dhe se e mbështesin rrëzimn e tij.

Në Tetovë shoh një përkrahje të pazakontë për Naltgjatësinë te të gjitha segmentet shoqërore që e përbëjnë opinionin e saj publik. Më së forti atë e admirojnë enveristët, ku bënin pjesë të gjithë adhuruesit e Shqipërisë, duke përfshirë autorin e këtyre rreshtave në adoleshencën e vet. Përveç trashëgimisë politike, enveristët te Naltgjatësia shohin koreografinë e fjalimeve të Enver Hoxhës. Naltgjatësia i imiton çuditshëm gjestet e gjyshit të tij politik, Enver Hoxha (dhe babait të tij politik, Fatos Nano). Por, politikat e tij nuk kanë asnjë gjurmë nga zemërimi i Enver Hoxhës kundruall Jugosllavisë.

Në vrojtimet e mia shoh se Naltgjatësinë në Tetovë e admirojnë segmentet konservatore dhe filoturke. Aq më tepër për faktin e marrëdhënieve të tij të ngrohta me Rexhep Taip Erdoganin, të cilin në Tetovë e çmojnë si mik edhe për një histori strehimi në këtë qytet. Një vazhdimësi të këtij segmenti konservatorësh e përbëjnë “shehërlinjtë e vjetër”, të cilët i karakterizon një përgjërim më i moçëm për Turqinë. Ata turqishten e kanë akoma gjuhë shtëpie.

Por, Tetova njeh intelektualë e politikanë si dhe ndjekës të tyre nga komuniteti i “shehërlinjve”, të cilët e refuzojnë osmanizmën te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Ata turqishten nuk e kanë domosdo për zjarr Turqie, ajo u ka ngelur atyre si një shprehi, apo shenjë e një prestigji më të lartë shoqëror. Ata më tepër e promovojnë një aristokraci shoqërore, që i identifikon me Naltgjatësinë. Tek ai ata mund të dallojnë një zotni i cili e shpërfill mediokritetin, por s’e shohin liderin, mënyra e jetesës së të cilit ia kalon me sa fish rrogës së tij.

Laicistët e vërtetë të Tetovës, alla Mustafa Kemal Ataturk, e çmojnë si zotësi të paparë miqësinë e Naltgjatësisë me Israelin dhe komunitetet e tij në botë. Kjo shihet si një aftësi e rrallë politike, sepse hebrenjtë për shqiptarët përbëjnë prej kohësh një model për organizimin e tyre dhe solidaritetin mesvete. Ata janë të mrekulluar nga shtrëngimdora e Naltgjatësisë me kryeministrin e Israelit. Paçka se ai është mbase politikani i vetëm që e takon Netanjahun, të tjerët e refuzojnë atë për akuzat e tmerrshme që e rëndojnë.

Naltgjatësinë në Tetovë e admiron edhe komuniteti i artistëve. Ata të arteve pamore – për formimin e tij artistik, të jerët – për fjalët e zgjedhura e metaforat e gjetura. Çka nuk e përfillin këta, është fakti se Naltgjatësia nuk akuzohet për artin e tij. Përtej kësaj, ata nuk e vërejnë se ai po hapë ekspozita nëpër botë vetëm pasi u bë kryeministër. Fiksimi i tij pas arkitekturës është krej i dyshimtë. Raportet
ndërkombëtare kullat e tij i shohin si vepra të shpërlarjes së parave të pista. Dhe në fund: Asnjë fjalë e bukur nuk ka vlerë pa qenë e vërtetë!

Padyshim, Naltgjatësinë në Tetovë e përkrahin votuesit e partisë më të madhe shqiptare në opozitë. Dhe orbita e saj. Ajo e përkrahë atë pa kursim dhe i vrullet gjunjazi Naltgjatësisë. Kujto si u ngutën ato që të parat ta uronin për fitoren në zgjedhjet – për faqe të zezë – të majit të 2025-ës. Partia më e madhe opozitare në Maqedoninë e Veriut, e cila para pak vitesh e shpalli veten solemnisht parti ambientaliste, tani e ka fshehur kokën si struci dhe s’e nxjerr një çerek fjale për flamingot e Shqipërisë dhe folenë e tyre, që e kanë trazuar botën!

Naltgjatësinë e mbështesin edhe segmente të tjera, përveç këtyre që i përmenda. Besoj e përkrah fort edhe komuniteti i biznesit. Ai është një mik i madh i tij. Një njeri kaq të përzemërt me biznesin nuk e gjen jo vetëm te sëra e politikanëve të majtë në botë, të cilët njihen për një marrëdhënie të ftohtë me të, por as te fara e politikanëve fare. Dhe është pikërisht kjo marrëdhënie e pangopur që Naltgjatësinë po e merr në qafë.

Natlgjatësinë e përkrahin të gjithë ata që nuk preken derejtpërdrejt nga politikat e tij. E përkrahin ata të cilët informohen nga televizione si Top Chennel e TV Klan, që kanë për detyrë t’ia fshehin të zezat dhe t’ia lartësojnë arritjet. Kështu e përkrahnin më 1996 në Tetovë Sali Berishën. Sepse TVSH-ja e tregonte atë vetëm duke shkëlqyer, si e pritnin persidentët Bush dhe Klinton në Zyrën Ovale… Tetovarët s’kishin sy e veshë për raportimet mbi masakrën zgjedhore të majit të 1996-ës, e cila e derdhi kupën dhe e çoi Shqipërinë buzë greminës.

Sigurisht, dhe për fat të mirë, Naltgjatësinë nuk e përkrahin të gjithë tetovarët. As të gjithë enveristët, konservatorët, “shehërlinjtë”, artistët, bdistët, biznesi… Sikurse nuk e refuzojnë të gjithë vlenistët. Ka shumë nga ata që nuk ia harrojnë atij përçarjen e shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Nuk ia harrojnë projektin e përbashkët me Vuçiçin, Ballkani i Hapur, i cili kishte për qëllim izolimin e Kosovës. Dhe bëma të tjera. Nuk mund të mos e shohin arrogancën e qeverisjes së tij. Dielli nuk mbulohet me shoshë. Dhe gjaku nuk bëhet ujë.