Axha Qerim, kështu e thërrisnin atë në Tetovë. Ai ishte pjesë e pandarë e përditshmërisë së saj. Me qerren e tij me kalë. Një kalë të rrallë, Arapin, që s’e gjeje në të gjithë Jugosllavinë. Kalë mbi kalë! Sikur ia kishte falur një prijës indian nga filmat vestern të Holivudit. Axhën Qerim e shihje disa herë në ditë nëpër Tetovë, duke bredhur nga njëra qoshe e saj në tjetrën.
Të bëhej sikur ai kishte qenë aty para Tetovës. Sikur ai e kishte ngritur atë. Njëmend, ai bartte me karrocën e tij materiale ndërtimi nga “dërvarat” në kantieret. “Dërvara” quheshin ato magazinat e hapura me materiale ndërtimi, dërrasa, tulla, tjegulla, hekur… Të tilla kishte në Tetovë deri në vitet e para të pluralizmit disa. Njëra ishte mu afër shtëpisë sonë.
Ndonjë pasdite, kur s’kishte ndonjë porosi, për një pushim të shkurtër, na vizitonte në shtëpi. Aty e kishte të martuar bijën e dytë. Axha Qerim e dridhte një duhan të sertë, e shtrembëronte pak plisin, që i rrinte verë e dimër si një kurorë bore mbi krye, dhe pinte disa çaja të zinj. Të zinj, si Arapi i tij. Puna punë, terezia terezi! Dikur i hidhte një sy sahatit me qystek, që e strehonte në xhepin e xhamadanit, dhe brofte.
Vërtet, Axha Qerim kishte ardhur herët nga rrethina e Ferizajt në Tetovë. Më 1958. Tre nga gjashtë fëmijët e tij, një vajzë e dy djem, i kishin lindur në Tetovë. Tre të parët u martuan dhe trashëguan aty. Djali i madh mërgoi në Zvicër. Atë e ndoqi pastaj edhe i vogli. Axha Qerim nuk kishte lëvizur nga Tetova. Me qerren dhe Arapin, ai ishte bërë një personazh i dalluar i qytetit.
Një ditë, i vdiq Arapi. Nuk i ngordhi, i vdiq! Shtëpinë e pllakosi një zi më e zezë se Arapi. Axha Qerim pas kësaj s’e mori veten gjatë. S’e mori kurrë. Dikur e gjeti një kalë për qerren që ia kishte lënë zbrazur Arapi dhe i nisi shërbimet e tij të transportit të materialeve të ndërtimit sërish. Në Tetovë është ndërtuar gjithmonë me të madhe! Por, jo. Nuk ngjiti. Nuk shkonte si me Arapin.
Mbase nuk ishte te kali. Ndoshta ishte gjetiu. Kudo nga pak. Kushedi, këto frymëmarrjet pa punë e kishin bërë të mendonte më gjatë dhe më thellë për fatin e tij, për çka s’kishte pasur nge deri atëherë. Dhe kur mendon njeriu për fatin e tij, i trazohen shumë vrere. Secili më i mbarsur se tjetri me përjetime dhe kujtime. E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja i vërtiten si një karusel prasysh. Kosova, Tetova, Kosova…

Njeriu s’i ka të gjitha në dorë. Por diçka po. Axha Qerim e ndau mendjen: Ai i mblodhi djemtë, nipat dhe mbesat, shiti shtëpi dhe katandi në Tetovë dhe u kthye në katundin e prejardhjes në Kosovë. Në një vend sa një lagje e Tetovës. Në një kohë kur në Tetovë po bëhej pak më mirë, kurse në Kosovë shumë më keq. Kur tetovarët që jetonin në Kosovë ktheheshin në Tetovë.
Axha Qerim qenkësh ndjerë në Tetovë si në mërgim! Në Tetovën shqiptare, ku kishte lënë gjurmë, ku ishte i nderuar, ku i jetonin evlati… Por, ka vendlindje mbi vendlindje. Ajo s’të lë kurrë rehat, të përgjërohet gjithnjë heshtur t’i qasesh prapë. Dhe vjen një ditë kur të urdhëron t’i kthehesh patjetër, kudo që të jesh; atëherë s’i thua dot jo.