Na ishte një mbret plak
Na ishte një mbret plak,
Zemrën e kishte të rënduar, flokun e kishte gri;
Dhe mbreti i gjorë plak,
Na mori një perri.
Na ishte një shërbëtor i bukur,
Mendjen e kishte të lehtë, flokun e kishte shafran;
Mbretëreshës së re i mbante
Zhagun në fustan.
Të kujtohet ajo këngë e vjetër?
Tingëllon aq ëmbël, tingëllon aq hidhur!
Ata duhej të vdisnin të dy,
Ata ishin shumë të lidhur.
Almansori që po vdes
Mbi Zulejmanë që po fle
Pikojnë lot të përvëluar;
Dorën e saj të bardhë mjellmë
Lot’ e mi e kanë vërshuar.
Mbi Zulejmanë që po fle
Më kullon gjaku pikë-pikë;
Dhe murmurin ajo rëndë në ëndërr,
Dhe ia dëgjoj zemrën tak e tik.
Dhembja s’ka gjuhë në gojë,
Ah! ajo ka lindur sus;
Ka veç lot, ka veç gjak,
Gjak nga plagë e vdekjes pus.
Asrai
Nur i madh bijë e sulltanit
Përditë vjen edhe shkon
Nga kohë akshami te shatërvani,
Ku ujtë e bardhë gurgullon.
Nga kohë akshami te shatërvani
Përditë qëndron ai skllav i ri,
Ku ujtë e bardhë gurgullon;
Dhe zbehet e zbehet si qiri.
Një mbrëmje princesha
Befas ç’i foli atij me gojë:
Pa më thuaj si e ke emrin,
Nga ç’vend je dhe nga ç’soj!
Dhe i gjegji robi: Quhem Mohamet,
Vatanit tim Jemen i thonë,
Unë jam nga njai fisi asra,
I cili vdes kur dashuron.
Nga gjermanishtja: Kujtim Shabani
Hajnrih Hajne ka lindur në Dyseldorf. Viti i saktë i lindjes nuk dihet me siguri, por më i pranuari është 1797. Ai ishte me origjinë hebreje. Nga ana e nënës ishte kushëri i tretë, një brez i larguar, me Karl Marksin. Hajne studioi për drejtësi. Studimet i ndoqi me ndërprerje, por në fund i përfundoi me doktoraturë. Nga ligjëruesit e tij, Hegeli e kishte impresionuar njëmend. Për t’i shtuar mundësitë e karrierës dhe prestigjin, Hajne u konvertua në të krishterë. Megjithatë, ai mbeti edhe më tej indiferent ndaj fesë. Ideja e fesë si “opium” që gjendet te Marksi shpesh lidhet edhe me formulime të mëhershme të Hajnes. Në Gjermani, Hajne mbeti gjatë gjithë kohës i paragjykuar për “faj” të origjinës së tij hebreje. Ai vdiq më 1856 në ekzil, në Paris.
Pasioni i madh i Hajnrih Hajnes ishte letërsia. Që në fillim të studimeve ai përkthente nga anglishtja Lord Bajronin. Një takim i tij me Gëten thuhet se nuk kishte qenë edhe aq i përzemërt. Pavarësisht kritikave, Hajne e ngriti Gëten në rangun e Homerit dhe të Shekspirit, ndërsa veten e konsideronte një trashëgimtar të tij. Hajne e ka quajtur veten romantikun e fundit dhe nismëtarin e një lirike moderne gjermane. Ai ia doli ta bënte gjuhën e përditshme të aftë për poezi. Në formën dhe përmbajtjen e krijimtarisë së tij identifikohen gjurmë të iluminizmit, romantizmit, realizmit dhe simbolizmit. Hajne e lëvroi poezinë, fejtonin dhe itinerarin. Njihet si satirist, eseist dhe polemist i rrallë e i angazhuar. Niçe e ka çmuar si një nga artistët më të mëdhenj të gjuhës gjermane.
Gjatë nacional-socializmit, Hajnen e gjeti profecia e tij e famshme, referuar fatit të trashëgimisë arabe në Spanjë: “Aty ku djegin libra, në fund djegin edhe njerëz.” Këto fjalë gjenden në dramën e tij “Almansor” dhe i referohen djegies së Kuranit në Granadë; më vonë u bënë jashtëzakonisht profetike në Gjermaninë naziste, ku veprat e Hajnes u dogjën më 1933. Librat e tij u dogjën, populli i tij u shkri.
Hajne solidarizohej me idetë e socializmit, gjë që reflektohet edhe në poezitë e tij politike, por nuk identifikohej plotësisht me ideologjinë marksiste. Engelsi, i mrekulluar nga kënga e tij “Endësit shlezianë”, e përktheu atë në anglisht. Hajne mbeti një socialist liberal dhe hedonist.