“Ndal dhunës!” është ndër shprehjet më të shpeshta kohët e mbrame në opinionin publik shqiptar. Kjo lidhet padyshim me ngjarjet e ditëve të fundit në Shqipëri, në kontekstin e demonstratave të studentëve dhe gjimnazistëve, të cilat e kanë tronditur qeverinë shqiptare me qëndresën e tyre.
“Ndal dhunës!” është një shprehje fisnikërie dhe mirësie. Kush mund të ngulë këmbë për të kundërtën?! Ndonëse nuk është i vogël numri i atyre që u ka ardhur në majë të hundës ky regjim… Dhe këta nuk janë emra të panjohur. Por, kushtrimi “Ndal dhunës!” nuk i shkon secilit.
Nuk u ka hije të bërtasin të parët “Ndal dhunës!” ata të cilët nuk e thanë një fjalë, një gjysmë fjale, një çerek fjale për ato që e sollën këtë ditë, ngrysjes së të cilës i druhet çdonjëri. Ka ca gjëra që shkojnë dhe të tjera që nuk shkojnë.
Nuk ka kuptim të thërrasin me të madhe “Ndal dhunës!” ata që nuk kanë thënë një fjalë, një gjysmë fjale, një çerek fjale për kanabizimin e Shqipërisë, operacionin kriminal që i mbushi hundët e të gjithë shqiptarëve dhe faqet e të gjitha mediave të botës.
Nuk ka lezet të ulërijnë “Ndal dhunës!” ata të cilët nuk e thanë një fjalë, një gjysmë fjale, një çerek fjale për manipulimin e të gjitha zgjedhjeve në Shqipëri, nga viti 2013 deri në vitin 2025. Kush nuk ka dëgjuar për përfshirjen e krimit në zgjedhje, patronazhistët, blerjen e votave, shantazhin dhe marifete të tjera?
Nuk mund t’i fryjnë bririt me “Ndal dhunës!” ata të cilët nuk e kanë thënë një fjalë, një gjysmë fjale, një çerek fjale kundër përurimit të kriminelëve në Kuvendin e Shqipërisë dhe kundër përndjekjes së oficerëve të ndershëm në luftën kundër krimit. Kush i ka harruar këto?
Nuk u shkon britma maje bregut “Ndal dhunës!” atyre që nuk e thanë një fjalë, një gjysmë fjale, një çerek fjale kundër nxjerrjes së qytetarëve zvarrë nga shtëpitë e tyre për t’u hapur rrugë pazareve urbane. Kush nuk i ka parë ata fakirë që vajtonin me ngashërim shembjen e shtëpive të tyre para syve të vet?
Nuk ngjisin piskamat majekrahu “Ndal dhunës!” të atyre që nuk e thanë një fjalë, një gjysmë fjale, një çerek fjale kundër shembjes në terr e mjegull të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Kujt nuk i kujtohet qëndresa e aktorëve kundër shembjes së tij dhe korruptimi i të tjerëve…?
Nuk u takon të thërrasin me kaq bujë “Ndal dhunës!” atyre që nuk e thanë një fjalë, një gjysmë fjale, një çerek fjale kundër projekteve të fshehta me krerët e Serbisë për fatin e Kosovës. A ka njeri që s’i ka parë takimet me përqafime të Kryeministrit me Vuçiçin?
Nuk u bën miktofoni dhe altoparlanti për thirrjen “Ndal dhunës” atyre që s’e nxorën një fjalë, një gjysmë fjale, një çerek fjale për korrupsionin e palodhur të qeverisë në katër mandate. Kush nuk ka dëgjuar për koncesionet e mjekësisë, inceneratorët, Mekgonigalin, tenderët e manipuluar të rrugëve dhe tuneleve …?
Nuk u përket të thërrasin të parët “Ndal dhunës!” ata që nuk e thanë një fjalë, një gjysmë fjale, një çerek fjale kundër pazareve me burimet e Shqipërisë, të bëra nëpër skutat e botës dhe limeret e Shqipërisë. A u pyet ndonjëherë ndonjë shqiptar nëse është dakord, kujt dhe për çfarë të jepen perlat e vendit?
Nuk bën të ngrihen të parët me thirrjen “Ndal dhunës!” ata të cilët nuk e përkrahën me një fjalë, një gjysmë fjale, një çerek fjale protestën e bukur dhe paqësore katërmujore të Flamingove. Ç’domethënë të jesh edhe kundër dhunës, edhe kundër paqes?! Kush e merr vesh?
Vërtet, këta që sot, papritur, u tronditën nga ngjarjet në Shqipëri, nuk thërrasin kundër dhunës policore. Ata s’kanë ndonjë vështirësi me zhdëpjen e të rejave e të rinjve në dru dhe mbytjen e tyre me gaz. Kjo ka ngjarë gjithë kohës, dhe ata heshtën gjithë kohës. Meraku i tyre janë semaforët, kazanët e plehrave, kioskat…
Vërtet, meraku i tyre është imazhi i atij, kundër të cilit orientohet qëndresa. Ata janë të mërzitur për maskën që rinia ia çjerri “liderit global” dhe e shfaqi lakuriq, si një autokrat banal dhe mizor. Meraku i tyre është fati politik i atij, të cilit pas katër mandatesh historia po i rezervon një fund të palavdishëm.
S’ka asnjë vlerë për opinionin publik dhe s’ka çoroditje më të madhe intelektuale e morale se t’i vardisesh një gënjeshtre. Cili gjeni politik e ka shpërfillur popullin e tij? Cili udhëheqës vizionar ka përfunduar i urryer nga populli i vet? Cili lider i madh s’e ka kuptuar popullin e vet dhe cilin s’e ka kuptuar populli i tij?
Sikur të kishin shpenzuar një fjalë, një gjysmë fjale, një çerek fjale për ato që i rreshtova, dhe shumë të tjera, nuk do të vinte puna deri këtu. Nuk do të duhej sot të lodhnin fytin të turpëruar dhe frikësuar duke apeluar kundër dhunës. Jo një dhune që e sheh e tërë bota, së cilës vetëm këta nuk dinë t’ia thonë emrin.