Dita Botërore e Lirisë së Shtypit po afron, por me rezultate dëshpëruese. Reporterët pa Kufij (RPK) thanë që ky vit ka pësuar rënien më të madhe gjatë këtij çerekshekulli. Më shumë se gjysma e botës janë skuqur në hartën e Indeksit të Lirisë së Shtypit në Botë (ILShB). Sipas Kristian Mirit, drejtorit ekzekutiv të RPK-së, vetëm një në 100 njerëz kanë qasje në shtyp ditor të fuqishëm, të larmishëm dhe të qëndrueshëm. Ndërkaq drejtorja e redaksionale, Ane Bokand u kërkoi qeverive që të bëjnë më tepër sesa të angërdufen sa për sy e faqe gjatë përkrahjes së asaj që njihet si “fourth estate” dhe tl gazetarisë së përgjegjshme. Sipas saj, mediet sot përballen me kriminalizimin e gazetarisë, keqpërdorimin e ligjeve të sigurisë, pengimin e hulumtuesve, mekanizmat mbrojtëse të dobëta, pandëshkueshmërinë e hapur etj. Indeksi në fjalë pasqyron më së miri këtë gjendje të shtypit. Pa u zgjatur shumë në gjendjen nëpër botë, po ndalemi shkurtimisht në rrokullinë tonë. Në përgjithësi Ballkani Perëndimor shënoi rezultate negative në lirinë e shtypit. Serbia (104) ka rënë me tetë vende, Bosnja e Hercegovina (90) me katër, Shqipëria (83) me tre, Maqedonia e Veriut (45) me tre, Mali i zi (41) me katër vende. Kosova ka befasuar me ngritjen e madhe prej pesëmbëdhjetë vendeve në ILShB.
A ka rënëdsi liria e shtypit? Sigurisht që po! Shtypi duhet të raportojë pa pasur një tutor mbi kokë, ndërsa sot është duke vepruar në rrethana ndeshtrashash e trynish të shumta ekonomike, politike e ndonjëherë edhe sulmesh fizike ndaj gazetarëve. Koalicioni për Liri të Medias pati paralajmëruar që më 2024 se autoritarizmi është në rritje e sipër në botë, kurse liria e shtypit është në rënie, e gjithë kjo si pasojë e platitjes së nivelit të demokracisë kudo. Këto rrethana kanë shkaktuar edhe rritjen e kërkesës për shtyp ditor profesional. Gjindja duhet të jetë e informuar saktë dhe drejtë dhe vetëm me shtyp të përkushtuar ndaj fjalës së lirë mund të arrihet që qytetarët të mos bëhen cak i shpërqendrimit dhe i frikësimit. Këtë mund ta arrijmë ne, gazetarët, sepse ata që i japim shpirt shtypit ditor dhe përcjellim lirinë e shprehjes e të informimit. Kemi shumë arsye për t’i qëndruar besnik lirisë së shtypit dhe punës sonë. Në përmbyllje po sjellim tri prej tyre.
- Informacioni paraqet forcë
Zgjuarsia jonë për të pasur qasje në informim të qartë, të besueshëm dhe të saktë është pika kryesore që na ndihmon të dimë për të drejtat tona njerëzore dhe t’i shfrytëzojmë ato. Në këtë epokë teknologjike, qarkullimi i lirë i informacionit na ofron qasje të pakufizuar në lajme nga e tërë bota. Mirëpo rritja e keqinformimit dhe çorientimit e ka përmbytur shtypin sot me rrëfime dashakeqe. Madje sipas Fondit për të Drejtat Njerëzore Globale, qeveritë përdorin medie të ndryshme të afërta me ta për të daravitur këto tregime fillzeza. Për fatin e mirë, ka ende medie të pavarura të cilat punojnë në drejtimin e kundërt të keqbërësve. - Të margjinalizuarit kanë zë Shtypi e ka mbajtur gjithnjë derën hapur: gazetarët filtrojnë informacionin nëpërmjet verifikimit, vërtetësisë dhe rëndësisë që ka. Falë përparimit dhe rritjes së platformave të pavarura, këto zëra të heshtur kanë arritur të dëgjohen kudo. Tregimet e tyre kanë përshkuar kufizimet, kanë këputur zinxhirët, kanë dalë nga kafazi i ngujimit. Zbardhja e çështjeve të ndryshme, të injohruara, por edhe të mbajtura peng qëllimisht duhet të jetë synimi final i medeve dhe i çdo gazetari.
- Hapësira për dialog fiton zmrat dhe mendjet Faqet për mendime, mediet sociale, shtypi i lirë ofrojnë mundësinë e këmbimit të ideve, të perspektivave të reja dhe të sfidimit të mendimit konvencional. Me këtë rast lentohet debati i hapiur dhe i domosdoshëm për të promovuar të drejtat e njeriut. Kjo mundëson që të nisë puna, zakonisht e ngadalshme dhe e stërzgjatur, e përpilimit dhe të tumirjes së ligjeve më të drejta dhe të politikave të cilat mund të lëvizin barrikadimet aktuale. Përfituesit kryesorë në këtë rast do të ishin shtetet ku mospajtimet nuk tolerohen kollaj dhe ku njerëzit frikësohen të kundërshtojnë hapur politikat frymëzënëse.
Më 3 maj është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Çdo shoqëri duhet të luftojë dhe të mbrojë këtë liri sepse demokracia është më e shëndoshë me të.