Home Froni Për luftën speciale

Për luftën speciale

A+A-
Fshije

Kur qeshë në gjimnaz, në kurrikulën e atëhershme qe përfshirë edhe lënda e Mbrojtjes dhe Sigurisë. Ndër termat që në syllabusin e kësaj lënde qenë përfshirë qe edhe “lufta speciale”. Nuk e di nëse edhe sot gjimnazi ka të njëjtën kurrikulë, por mund ta them me plot bindje se lufta speciale është bërë mbase strategjia më e përdorur dhe e avancuar e kohës sonë. Sipas doktrinës së ushtrisë amerikane (ADP 3-05), lufta speciale është një përplasje që nuk përdor vetëm armët, por edhe ndikimin te njerëzit, informacionin, institucionet dhe mjedisin politik për të arritur objektiva strategjike. Kjo do të thotë që lufta speciale nuk zhvillohet vetëm në fushëbetejë, por edhe në medie, rrjete sociale, hapësirën kibernetike dhe në vetëdijen e njerëzve, duke synuar që të ndikojë përkapjet, sjelljet dhe vendimet e tyre.

Përkufizimi që sollëm pasqyrohet më së miri në konfliktet që janë duke u zhvilluar sot. Palët e përfshira nuk përdorin vetëm tanke dhe raketa për të pushtuar territore. Ato përdorin edhe informacion të përpunuar me kujdes dhe të paraqitur në mënyrë të stërholluar. Pastaj e përhapin nëpërmjet medieve, ku do të përfshijmë kushtimisht edhe rrjetet sociale si një hapësirë e posaçme mediatike. Cak i çdo sulmi nuk është vetëm ushtari në fushëbetejë, është edhe qytetari në shtëpinë e tij, në kafene, në vendin e punës, madje edhe duke bredhur në natyrë.

Mënyra më e fuqishme që përdoret sot është keqinformimi, propaganda, lajmet e rrejshme, sulmet kibernetike dhe operacionet psikologjike. Zhvillimi i teknologjisë e ka lehtësuar së tepërmi procesin e lentimit të informacionit sa që servohet si e vërtetë një ngjarje a veprimtari, e cila mund të jetë larg së vërtetës. Një aktivitet, deklaratë, fotografi etj., paraqitet në disa versione, duke e bërë të vështirë ta kuptojmë të vërtetën. Synimi kryesor i kësaj lufte nuk është vetëm të ndryshojë rrjedha e një beteje, por edhe të ndikojë në mënyrën se si njerëzit e kuptojnë realitetin dhe marrin vendime.

Lufta speciale përdoret kudo në botë, por për ne është me rëndësi të flasim për rajonin tonë. Zhvillimet e fundit në Prishtinë, Tiranë e Shkup krijojnë një hapësirë mjaft të shfrytëzueshme për qarqet e ndryshme ku lufta speciale është duke u përdorur vazhdimisht. Raportime të medieve vendore dhe ndërkombëtare pikasin Serbinë si një nga burimet e fushatave të keqinformimit për Kosovën. Politika zyrtare e këtij vendi shquhet për qëndrimet konfrontuese të vazhdueshme ndaj shqiptarëve. Kriza institucionale në Prishtinë, ndërkaq, e lehtëson përdorimin e luftës speciale. Nga ana tjetër, raportet e fundit të BE-së për Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) nënvizojnë të ashtuquajturën “Bota serbe”. Ndërsa protestat shumëjavëshe në Tiranë janë po ashtu pjesë e qerthullit të luftës speciale ku informacioni i pasaktë ka marrë dhenë, me ç’rast krijohet mjegull që nuk na lejon të kuptojmë zhvillimet ashtu siç janë.

Megjithatë, edhe në këtë rast shfaqet një “mirëpo”, që na detyron të shohim edhe anën tjetër të medaljes sepse nuk duam të bëhemi pjesë e kësaj shtjelle të luftës speciale. Keqinformimi, propaganda, lajmet e rrejshme, sulmet kibernetike dhe operacionet psikologjike, si mjete të luftës speciale, përdoren, sipas kontekstit të çështjeve dhe të rrethanave, edhe brenda vetë shteteve. Për shembull, si pozita, ashtu edhe opozita në Prishtinë janë të angazhuara për të njollosur dhe fajësuar njëra-tjetrën për mosthemelimin e institucioneve të reja, edhe pse kanë kaluar disa cikle zgjedhore.

Kushtëzimet bullgare dhe akuzat për “Botën serbe” janë duke u shfrytëzuar vazhdimisht nga pozita dhe opozita në RMV. Deklarimet për zgjedhje të parakohshme janë bërë pjesë e përplasjes politike të çastit në Shkup. Ndërsa qeverisja në Tiranë po u përgjigjet protestuesve me të njëjtën monedhë. Për të parët qeverisja po e shet vendin, për tjetrën, protestat janë të panevojshme dhe pengojnë zhvillimin e vendit. Për të përmbyllur, mund të themi se lufta speciale nuk krijon ndarje nga hiçi: ajo i shfrytëzon ndarjet ekzistuese; ajo nuk funksionon nëse shoqëria ka institucione të forta, medie profesionale dhe qytetarë me mendim kritik. Prandaj, mbrojtja më e mirë nuk është vetëm ushtria apo shërbimet e sigurisë, por edhe arsimi, kultura demokratike, edukimi mediatik dhe mediet e pavarura dhe të përgjegjshme.