Shqiptarët njihen si një popull që ndërtoi identitetin kombëtar mbi gjuhën dhe përkatësinë, jo mbi fenë. Për këtë arsye, shpirtgjerësia fetare është konsideruar prej kohësh si një nga vlerat tona më të çmuara.
Besimi, në thelb, është marrëdhënie intime mes njeriut dhe Hyjit. Ai nuk ka nevojë për dëshmitarë që të vërtetojë përkushtimin dhe falënderimet tona. Mund të shprehet edhe publikisht, por nuk fiton më shumë vlerë vetëm pse bëhet i dukshëm. Përkundrazi, forca e tij qëndron te ndikimi që ka në karakterin dhe sjelljen tonë, jo në vëmendjen e të tjerëve.
Por, jetojmë në një kohë kur priremi të publikojmë thuajse çdo aspekt të jetës sonë. Në rrjetet sociale botojmë udhëtimet, sukseset, festimet, madje edhe çastet që dikur konsideroheshin krejt personale. Nuk është për t’u habitur që kjo prirje ka prekur edhe besimin. Megjithatë, duhet të bëjmë dallimin mes ndarjes së një përvoje shpirtërore dhe shndërrimit të saj në imazhin që duam t’u paraqesim të tjerëve.
Mirëpo, vitet e fundit më lentohet gjithnjë e më shpesh përshtypja se po i kushtojmë më shumë rëndësi dukjes së përkatësisë fetare. Rrjedhimisht parashtroj dilemën nëse besimi ka nevojë për publik, nëse lutemi për të na parë të tjerët apo për t’u afruar me Perëndinë, nëse besimi ynë matet me deklarime, postime, fotografi e citime apo me mënyrën se si sillemi në jetën e përditshme. Po përse duhet dikush ta dijë që unë falem në xhami ose ai tjetri lutet në kishë?
Këto gjykime të miat nuk kanë për qëllim të mohojnë vlerën e faljes e lutjes në faltore, por kërkojnë një sqarim: përse duhet të duket besimi ynë? Besimi nuk dëshmohet me atë që publikojmë, por me atë që bëjmë kur askush nuk na sheh. Njerëzit nuk kanë nevojë ta dinë nëse lutem unë apo dikush tjetër; besimi i secilit do të pasqyrohet vetvetiu në mënyrën si sillet dhe si vepron.
Nuk është e gabuar që besimtari ta shprehë publikisht bindjen fetare. Besimi është pjesë e identitetit të shumë njerëzve dhe askush nuk duhet ta fshehë. Por kur vëmendja përqendrohet më shumë te mënyra se si duket besimi sesa te mënyra si jetohet ai, rrezikojmë ta reduktojmë përvojën e thellë shpirtërore në element të imazhit publik. Në fund, më shumë rëndësi ka ndershmëria, drejtësia, respekti dhe mirësia ndaj të tjerëve sesa numri i postimeve që flasin për fenë.
Fundja, askush nuk e njeh besimin tonë nga fotografia që publikojmë ose nga citati që shpërndajmë. Ai njihet nga mënyra se si flasim dhe sillemi me njerëzit, sidomos kur askush nuk na sheh. Pikërisht aty matet vlera e besimit.