Kur flasim për shkollat, e kemi të qartë që janë institucione edukativo-arsimore. Shoqëria pret shumë nga këto shtëpi ku zhvillohet procesi nxënies, ndërsa shteti është administruesi i tyre. Ai përgatit infrastrukturën e duhur dhe kurrikulat. Kjo na bën të kuptojmë që në këto institucione ka vend për kuadër arsimor dhe nxënës, ka vend për projekte edukuese dhe arsimuese, por shkollat nuk mund të jenë hapësira ku çdokush mund të ketë qasje, të hyjë, të organizojë aktivitete dhe të prezantohet para nxënësve vetëm sepse sjell dhurata, duke zbatuar kështu programe jashtarsimore të cilat nuk kontribuojnë në përmirësimin dhe përforcimin e arsimit, përkatësisht të zhvillimit të shtetit.
Kohët e fundit, në shkollat fillore të Tetovës po ndodh fenomeni i vizitave të papritura nga organizata joqeveritare, të cilat nuk kanë të bëjnë asgjë me edukimin dhe arsimin. Për më tepër që shkollat i kemi laike, ndërsa organizatat vizituese janë fetare. Kjo “risi” më shqetëson si prind, kur të kihet parasysh polarizimi në rritje që po ndodh në shoqëritë e ndryshme në botë, përfshi edhe tonën. Ky veprim ngre një sërë pyetjesh të rëndësishme. Cilat ishin kriteret sipas të cilave u miratua kjo vizitë? Kush e vlerësoi përmbajtjen e aktivitetit? Çfarë vlere edukuese dhe arsimore solli për nxënësit? Dhe mbi çfarë baze u vendos që këto organizata të kenë qasje të drejtpërdrejtë te fëmijët tanë?
Askush nuk është kundër bamirësisë ose ndihmës për fëmijët. Përkundrazi, çdo donacion që plotëson nevoja e shkollës është i mirëpritur. Por dhurimi i mjeteve për shkolla – në këtë këto raste patatina, çokollata, sheqerka – dhe organizimi i aktiviteteve me nxënësit nga subjekte që nuk kanë profil pedagogjik ose arsimor tejkalon përmasat e ngjarjeve të cilat janë të përkapshme.
Arsimi në RMV po përballet me krizën serioze të cilësisë, e dëshmuar edhe nga rezultatet tepër të dobëta në testimin ndërkombëtar PISA. Ne, si prindër dhe si shoqëri në tërësi, presim aktivitete që përqendrohen në përmirësimin e mësimdhënies dhe të nxënit, pra në rritjen e cilësisë së arsimit. Nxënësit kanë nevojë për më shumë biblioteka, laboratorë kërkimorë, matematikë, shkencë, dhe mbështetje profesionale, mirëpo jo për aktivitete që nuk kanë program pedagogjik.
Po Bashkia e Tetovës a është në dijeni që Pollogu ka nxënësit më të dobët në RMV? A e ka lexuar Strategjinë e arsimit? A e di kjo bashki që nxënësit shqiptarë janë më të dobëtit? Nëse po, atëherë përse lejon vizita të këtilla të cilat nuk janë të parapara në programet vjetore të shkollave?
Pikërisht për këtë arsye është e pakuptueshme që shkollat dhe komunat t’u hapin dyert organizatave që nuk kanë profil arsimor, duke i lejuar të zhvillojnë aktivitete me nxënësit vetëm sepse shpërndajnë dhurata. Shkolla nuk është vend për promovim të organizatave, është institucion ku çdo aktivitet duhet të ketë synime të qarta edukuese dhe të realizohet nga profesionistë të fushës. Prandaj, hapja e dyerve për organizata që nuk kanë profil arsimor krijon precedent të rrezikshëm. Nëse sot u lejuan dy organizata, mbi çfarë kriteresh do të mund të refuzoheshin të tjerat? Kush garanton që çdo aktivitet do të jetë në përputhje me interesin më të mirë të nxënësve?
Arsimi nuk duhet të funksionojë mbi logjikën e zbatimit të programeve politike të djerra, nuk duhet të menaxhohet nga persona të cilët angërdufen lartë-e-poshtë, por mbi logjikën e cilësisë. Fëmijët tanë kanë nevojë për mësim cilësor, profesionistë të arsimit dhe institucione që mbrojnë integritetin e shkollës. Vetëm kështu shkolla do të mbetet ajo që duhet të jetë: institucion i edukimit dhe i arsimimit.