Prijësi Siatëll (1786-1866) – përgjigje presidentit amerikan në vitin 18541
Ky qiell, që prej se nuk mbahet mend, qan me lot të hidhur të parët tanë për të cilët është i amshuar, mund të ndryshojë. Sot ende i kthjellët, nesër mund ta mbulojnë retë. Fjalët e mia janë si yjet që nuk shuhen kurrë. Fjalëve të Siatllit mund t’u zë besë edhe prijësi i madh në Uashington, siç mund t’i besojnë vëllezërit tanë me fytyrat e zbehta ndërrimit të stinëve.
I biri i prijësit të bardhë thotë se i ati i tij na çon të fala miqësore dhe ogure të vullnetit të mirë. Kjo është dashamire nga ana e tij duke e ditur se ai nuk ia ka nevojën miqësisë sonë, sepse populli tij është i shumtë në numër si bari i prerive të gjera, ndërsa ne jemi pak dhe u ngjajmë pemëve të rralla të fushave të rrahura nga era.
Prijësi i madh, ma merr mendja edhe i mirë, na bën me dije se do ta blejë vendin tonë, por ai do të na lërë mjaftueshëm prej tij për një jetë të rehatshme. Vërtet, kjo duket bujare, sepse i kuqi nuk ka më të drejta që t’i respektojë ai dhe kjo ofertë duket dhe e
arsyeshme duke pasur parasysh se neve edhe s’ka ç’na duhet më ndonjë vend i madh.
Ishte një kohë kur e popullonim të gjithë vendin, mu siç dalldisen valët e trazuara nga era mbi fundin e detit të stërmbushur me midhje. Por kjo kohë ka kaluar moti, e me të ka ikur edhe madhështia e fiseve tani më të harruara. Nuk dua ta vajtoj perëndimin tonë para kësaj kohe, as dua t’i qortoj vëllezërit e mi fytyrëzbehtë se e përshpejtuan atë. Sepse, në një farë mënyre, jemi edhe vetë fajtorë për këtë. Kur zemërohen djemtë tanë për shkak të padrejtësisë së vërtetë ose sepse ashtu na duket, dhe fytyrat e tyre i përçudnojnë duke i ngjyrosur me të zezë, atëherë përçudnohen dhe nxihen edhe zemrat e tyre dhe mizoria e tyre është e pandalshme dhe e pakarar, sa nuk mund t’i zmbrapsin më as pleqtë tanë. Po ne kemi shpresën se armiqësia mes të kuqit dhe vëllezërve të tij fytyrëzbehtë nuk do të ndizet prapë. Ne do t’i humbnim të gjitha dhe s’kishim çka të fitonim.
Vërtet, për luftëtarët tanë të rinj hakmarrja është një shpërblim, edhe atëherë kur duhet të paguhet me jetë, por ne, burrat pleq, të cilët në kohë lufte qëndrojnë në shtëpi, dhe gratë plaka, që duhet t’i humbin bijtë e tyre, e dimë më mirë.
Ati ynë i madh në Uashington, sepse ma ha mendja se ai tani është edhe ati ynë, që kur i shtyri Xhorxhi kufijtë në veri, pra ati ynë i madh dhe i mirë nëpërmjet të birit, i cili te ë vetët është padyshim një prijës i madh, na bën me dije se do të na mbrojë nëse i shkojmë për shtati. Ushtritë e tij trime do të jenë një trupë e armatosur për ne, dhe anijet e tij të mëdha të luftës do të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës në limanet tona, ashtu që armiqtë tanë larg në veri, tsiamshianët dhe haidët, nuk do të jenë më tmerri i grave tona dhe pleqve tanë.
Ai atëherë do të bëhet ati ynë dhe ne robtë e tij.
Por, a është e mundur kjo? Zoti juaj e do popullin tuaj, timin e urren; të bardhin e shtrëngon me dashuri në krahët e tij të fortë dhe e mban siç e mban babai djalin e vogël, kurse robtë e kuq i ka braktisur; me ndihmën e tij populli juaj po rritet përditë dhe së shpejti do ta përmbytë vendin, ndërsa populli im po shteron siç pakësohet sipërfaqja e ujit e nuk shtohet. Zoti i të bardhit s’mund t’i dojë robtë e tij të kuq, ndryshe do t’u qëndronte pranë.
Ata janë si jetimët, nga asnjë anë nuk u vjen ndihmë. Si mund të jemi kështu vëllezër? Si mund të bëhet ati juaj at i ynë dhe të na sjellë një jetë të mirë e të zgjojë te ne ëndrra të një madhështie të re? Zoti juaj neve na rri larg. Ai i shfaqet vetëm të bardhit. Ne s’e kemi parë atë kurrë, as zërin nuk ia kemi dëgjuar. Të bardhit i fali urdhëresa, kurse për robtë e tij të kuq, të cilët në këtë kontinent të gjerë ishin sa yjet në qiell, nuk kish një fjalë të vetme.
Jo, ne jemi dy raca të ndryshme, dhe kështu do të ngelemi gjithmonë. Ne nuk kemi asgjë të përbashkët. Ne e kemi të shenjtë hirin e të parëve tanë, vendi ku janë varrosur ata për ne është tokë e shenjtë, ndërsa ju, si duket, varret e të parëve tuaj i lini pa ndonjë keqardhje.
Fenë tuaj e ka shkruar një zot i hidhëruar me gisht të hekurt në pllaka guri, që të mos e harroni. I kuqi s’mund të kujtohej në të dhe nuk mund ta kuptonte atë.
Feja jonë është tradita e të parëve tanë, janë ëndrrat e pleqve që ua ka mbjellë shpirti i madh dhe janë fanitjet e prijësve tanë paqësorë. Ajo është e skalitur në zemrat e popullit tonë. Të vdekurit tuaj nuk ju duan më juve dhe vendet nga kanë ardhur pasi i kanë gjetur varrezat e tyre. Ata po arratisen përtej yjeve larg, ata vrik janë harruar dhe nuk kthehen më kurrë. Të vdekurit tanë e ruajnë përherë në kujtesë botën e bukur që ua ka falur jeta. Ata hala i duan lumenjtë e rrëmbyer, malet e larta dhe fushat e thella, u qasen me përzemërsi të gjallëve të vetmuar dhe u kthehen shpesh atyre për t’i ngushëlluar. Nuk mund të qëndrojnë edhe nata edhe dita në të njëjtën kohë. I kuqi ishte gjithmonë në arrati kur avitej i bardhi, mu siç i ngjitet mjegulla një shpati para të nxehtit të diellit të mëngjesit.
Sidoqoftë, propozimi juaj duket i drejtë dhe mendoj se populli im do ta pranojë dhe do të tërhiqet në rezervatin që po na ofroni. Aty do të jetojmë në paqe për vete. Fjalët e prijësit të madh të bardhë tingëllojnë si zëri i natyrës. Ai depërton te ne nga një natë e ftohtë, që na mbështjell si një mjegull e dendur, e cila po dyndet përtokë nga mesnata e liqenit. Nuk ka rëndësi ku do t’i kalojmë ditët që na kanë mbetur. Ato nuk janë edhe aq shumë.
Nata e indigjenit duket se po nxihet. Asnjë yll i ndritur nuk duket në horizont. Era rënkon nga larg me një zë të zymtë. Si duket, të kuqit i sillet fati i hidhur i popullit të tij dhe ngado që të drejtohet, do ta ndiejë hapin e fortë të ndjekësit të tij nga pas, mu si kaprolli i plagosur që i ndjen hapat e gjahtarit që po i afrohet dhe po i dorëzohet caktimit të tij. Edhe disa hëna, edhe disa dimra, dhe nuk do të ngelë më asnjë nga këto lukuni gjigande që njëherë e banonin këtë vend të gjerë ose këto radhë tani të shndërruara në dritë duke bredhur përmes pyjeve të vetmuara për të vajtuar te varrezat e një populli, i cili një kohë ishte kaq i fortë dhe shpresëplotë, si ju tani.
Po pse duhet të ankohemi? Pse do të duhet të grindem për fatin e popullit tim? Një fis përbëhet nga njerëz të veçantë dhe si i plotë, ai prapë nuk është më tepër se gjithsecili. Njerëzit shkojnë e vijnë si dallgët e detit. Një lot, një rit morti, një vajtim dhe ata zhduken përgjithmonë nga shikimi ynë i përmalluar. Këtë fat të të gjithëve e ndan madje edhe i bardhi, të cilin e ka përcjellë zoti i tij, me të cilin ai ka folur si me një shok. Ndoshta jemi vërtet vëllezër. Do ta shohim.
Propozimin tuaj do ta pleqërojmë e do t’jua kumtojmë vendimin tonë. Por, nëse e pranojmë atë, një kusht e vë që sot: të mos pengohemi kur të dëshirojmë t’u qasemi pa u ngacmuar varreve të të parëve dhe miqve tanë. Çdo cep i këtij vendi, për popullin tim është i shenjtë. Çdo mal, çdo fushë, çdo korije shenjtërohet nga një kujtim i vyer ose përjetim i trishtuar i fisit tim.
Edhe shkëmbinjtë, të cilët shtrihen heshtur, solemnisht dhe hijerëndë përgjatë bregut nën diellin që flakëron, edhe ata drithërohen nga kujtimi i së kaluarës së ndërthurur me fatin e popullin tim, edhe pluhuri ndër këmbët tuaja i do më fort hapat tonë se tuajt, sepse është hiri i të parëve tanë dhe këmbët tona të zbathura e ndiejnë prekjen e tyre të butë sepse toka është e mbushur me jetën e të afërmve tanë.
Luftëtarëve më të zemëruar, nënave të dashura dhe vajzave më të ndershme, fëmijëve të vegjël, që kanë jetuar këtu dikur dhe ishin të lumtur, tani u janë harruar emrat, por ata i adhurojnë akoma këto vende të vetmuara, ngjyrat e forta muzgore të të cilave bëhen gri hijesh nga shfaqja e shpirtrave të errët. Kur të jetë zhdukur nga faqja e dheut edhe i kuqi i fundit, kur kujtimi i të bardhit të jetë shndërruar në legjendë, atëherë këto anë do të jenë stërmbushur nga të vdekurit e padukshëm të fisit tim dhe nëse nipërit tuaj, jashtë në fushë, në rrugë ose në qetësinë e pyllit, besojnë se janë vetëm, ata nuk do të jenë fillikat. Në të gjithë botën nuk ka një vend në të cilin mund të jesh fill vetëm. Natës, kur rrugët në qytetet dhe fshatrat tuaja janë të qeta dhe juve u duken të braktisura, ato në të vërtetë janë plot nga gjithë ata, të cilët dikur jetonin në këtë vend dhe e duan atë ende. I bardhi nuk do të jetë asnjëherë vetëm.
Ai të sillet drejt dhe të jetë i mirë me popullin tim, sepse edhe të vdekurit kanë pushtet.
- Prijësi Siatëll (Chef Seattle) (1786-1866) – prijës dhe orator i fiseve indigjene Duamish dhe Sukuamish në Veriperëndimin e Paqësorit. Ai njihej për diplomacinë e tij me kolonët e hershëm europianë dhe për përpjekjet e tij për paqe dhe mbrojtje të mjedisit. Qyteti i Siatllit në shtetin e Uashingtonit e ka marrë emrin sipas këtij prijësi. Përgjigjja në fjalë i drejtohet Presidentit amerikan, Xhorxh Uashingtonit. ↩︎