Patericat
Për shtatë vjet një hap nuk e lëviza.
Mjek’ i madh kur m’i hodhi sytë,
Më pyeti: Ç’i ke këto paterica?
Dhe unë i thashë: Jam i gjymtë.
Më tha ai: S’e sheh vallë?
Pa çohu njëherë për ta provuar!
Ç’të gjymton, është kjo rrangallë.
Ec, bjer, zvarritu me këmbë e duar!
Duke qeshur si i marrë
Patericat e bukura m’i rrëmbeu,
Në kurrizin tim m’dysh i theu,
Ashtu gajasur i hodhi në zjarr.
Tani unë jam shëruar: vetë shkoj.
Një qeshje më bëri mirë.
Veç nganjëherë drunj kur shikoj,
Me orë të tëra eci vështirë.
I mirë, por për çfarë?
Bëj përpara: po dëgjojmë
Që je burrë i mirë.
Nuk blihesh, mirëpo edhe rrufeja
Që godet shtëpinë
Nuk blihet.
I qëndron asaj çfarë ke thënë njëherë
E çfarë ke thënë?
Je i sinqertë, e thua mendimin tënd
Cilin mendim?
Je trim.
Kundër kujt?
Je i mençur.
Për kë?
Nuk përfiton për vete.
Po për kë?
Je një shok i mirë.
Edhe i njerëzve të mirë?
Tani dëgjo: e dimë
Që je armiku ynë. Prandaj do të të vëmë
Për muri. Por duke t’i ditur meritat
Dhe tiparet e mira –
Për një muri të mirë dhe do të të gjuajmë
Me plumba të mirë të pushkëve të mira dhe do të të
Varrosim me lopatë të mirë në një truall të mirë.
Mbulesa
Guvernatori, i pyetur nga unë
Se ç’u nevojitej të mërdhirëve të qytetit tonë,
u përgjigj: Një mbulesë e gjatë tremijë pash,
e cila thjesht mbulon paralagje të tëra.
Nga gjermanishtja: Kujtim Shabani
Bertolt Breht lindi më 1898 në Augsburg. Që në moshë të re u mor me shkrime dhe, vetëm 15 vjeç, botoi bashkë me një shok një gazetë shkolle, për të cilën shkroi poezi, prozë dhe drama. Më vonë bashkëpunoi me mediet lokale dhe rajonale të Augsburgut.
Më 1917 kreu gjimnazin dhe më pas studioi mjekësi dhe filozofi në Mynih, megjithëse ndiqte edhe ligjërata në letërsi. Në vitet 1924–1933, gjatë qëndrimit në Berlin, arriti sukseset e tij të mëdha letrare, sidomos me dramën “Opera për tre grosh”.
Pas ardhjes së nazistëve në pushtet më 1933, Brehti u largua nga Gjermania dhe jetoi në Çeki, Austri, Zvicër, Danimarkë, Suedi dhe Finlandë. Më 1941 mërgoi në SHBA, ku gjatë ekzilit shkroi disa nga veprat e tij më të rëndësishme dramaturgjike. Më 1947 u hetua nga Komisioni i Mekkartit për simpatitë e tij për komunizmin dhe më pas u largua nga SHBA-ja.
Më 1949 Breht u vendos në Berlinin Lindor dhe themeloi Ansamblin Berlinez, trupën teatrale që do të përhapte në mbarë botën konceptet e tij për teatrin. Megjithëse ishte i lidhur me komunizmin dhe jetonte në Gjermaninë Lindore, me ndihmën e miqve siguroi edhe shtetësinë austriake, për të ruajtur një lidhje me Perëndimin.
Vepra e Brehtit u ndikua fuqishëm nga marksizmi, kritika e kapitalizmit dhe mendimi kritik shoqëror. Ai zhvilloi teorinë e teatrit epik, sipas së cilës shikuesi nuk duhet të identifikohet emocionalisht me personazhet dhe të harrojë realitetin, ai duhet ta vëzhgojë ngjarjen në mënyrë kritike, të distancuar dhe racionale.
Brehti shkroi mbi 2300 poezi. Për të, letërsia nuk duhej të ishte elitare, por t’u drejtohej masave dhe të kishte një funksion shoqëror: të ndriçonte, të provokonte dhe të nxiste ndryshimin. Ai përdorte një gjuhë të qartë dhe të përditshme. Edhe pamja e tij përputhej me këtë imazh: pavarësisht prejardhjes së privilegjuar shoqërore, ai paraqitej si proletar, me një pallto të vjetër lëkure, cigare të lira dhe një një kapelë të sheshtë.
Pas kryengritjes së 17 qershorit 1953 në Gjermaninë Lindore, Brehti shkroi poezinë “Zgjidhja”, me vargun e famshëm ironik: “A nuk do të ishte më e thjeshtë që qeveria ta shpërndante popullin dhe të zgjidhte një tjetër?”
Bertolt Brehti vdiq më 14 gusht 1956 në Berlinin Lindor, në moshën 58-vjeçare. Ai u varros pranë bashkëshortes së tij, aktores dhe bashkëpunëtores së ngushtë në teatër, Helene Vajgel.