Home Gjindja Duke e pritur atë djalin

Duke e pritur atë djalin

A+A-
Fshije

Ai për të gjitha hallet kishte vetëm një zgjidhje: “Kur të vijë ai djali.” Ai djali do t’i jepte fund gazepit të shqiptarëve në Tetovë, në Maqedoni, në Kosovë, në Jugosllavi, kudo.

Kur një koleg pune në kombinat iu ankua njëherë – siç i qajnë hallet miqtë mes vete – për dhimbjet kronike të barkut, ai ia gjeti një bar mjekësie popullore shumë premtues. “Një ilaç që e ngjall edhe të vdekurin.”

– E more ilaçin, si dukesh? – e pyet ai pas një kohe.

– E mora, – i përgjigjet kolegu, – po nuk kam derman. Ta shoh edhe një kohë, mbase do edhe një herë.

– Jo. Mos e merr më! – ia pret ai. – Nëse s’pate hair nga ky ilaç që ta gjeta, nuk ka të dytë për ty. Ti ke tjetër ilet. Ti do të shërohesh vetëm kur të vijë ai djali!

Nuk dihet më shumë për të. Ai nuk bën pjesë ndër emrat më të njohur të Tetovës. Atë, njëra palë e mbante për të krisur. Pala tjetër e mbante për të rrjedhur. Një ishte e sigurt: ai ishte i çmendur pas Shqipërisë.

– Po ai djali është ateist, ti sikur falesh shpesh në xhami, – e kishte provokuar një koleg maqedonas.

– Vetëm të vijë ai djali, pa do t’i braktis të gjitha! – ia kishte kthyer ai hazërxhevap.

Ai mbase do të bëhet i njohur në Tetovë për disa ditë, kur mësohet se, në një moment të mallkuar, e vret gruan e tij. Sikurse flitet, ajo kishte teptisur në kohën e gabuar t’i fliste atij me ndonjë fjalë të tepërt, a me zë më të lartë. Ose atij i ishte dukur ashtu. Atëherë ai, thonë, kap gërshërët që i ndodheshin afër dhe e godet të shkretën për vdekje.

Përveç akuzës për vrasje, atij ia rëndonte gjendjen dita dhe ora e vrasjes së gruas. Ajo kishte ndodhur më 11 ose 15 prill të vitit 1985!

Këto ditë mund të kishin bërë shumë vakia. Në Tetovë, në Maqedoni, në Jugosllavi, në botë. E para ku i shkonte mendja regjimit maqedonas të asaj kohe, dhe jo vetëm atij, ishte vdekja e Enver Hoxhës. Udhëheqësi komunist kishte vdekur më 11 dhe ishte varrosur më 15 prill.

Ato ditë në Tetovë, shumë gjindja ishte ngujuar në shtëpi dhe mbante zi në mënyrën e vet për vdekjen e atij djalit, për të cilin tetovarët ishin të bindur që një ditë do të vinte dhe të gjithave do t’u vinte hakut: nga dhuna e Jugosllavisë deri te dhimbjet e barkut.

Ato ditë, për shumë shqiptarë, ishte fikur një shpresë e papërshkruar. Në momentet kur po ndiqnin raportimet për vdekjen e Enver Hoxhës, homazhet me vajtime dhe dënesa, imazhet e varrimit në një mot të zymtë me shi dhe evokimet e dëshpëruara, fjalët merreshin kollaj për ters.

Ai djali nuk do të vinte më!