Një debat tërheqës më ra në sy në TikTok; ish-presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kiro Gligorov, paskësh qenë i ftuar në emisionin “Otvoreno” në HRT (Radiotelevizioni i Kroacisë) më 31 janar 2007. Nga ky diskutim kuptova se në maj të vitit 1991, Komuniteti Ekonomik Europian (KEE), pararendës i Bashkimit Evropian, i paskësh ofruar Jugosllavisë një marrëdhënie të jashtëzakonshme me Komunitetin, të shoqëruar me një paketë të madhe financiare – ofertë shumë bujare e cila, për mendimin tim, po të pranohej, do të ndalonte gjakderdhjen në Ballkan.
Më 30 maj 1991, në Beograd patën shkuar Zhak Dellorsi, kryetar i Komisionit Europian, dhe Zhak Santeri, kryeministër i atëhershëm i Luksemburgut, njëkohësisht kryesues i Këshillit Europian. Ata zhvilluan takime veçmas me presidentët e gjashtë republikave jugosllave dhe me kryeministrin federal, Ante Markoviçin. Oferta kishte dy shtylla kryesore: me vendim politik dhe jashtë procedurës së zakonshme, Jugosllavisë do t’i jepej statusi i anëtarit të asociuar, si dhe 5,5 miliardë dollarë, të siguruara nga KEE-ja dhe institucione të tjera financiare ndërkombëtare.
Me sa mund të kuptojmë, Europa pati ofruar integrimin dhe investimet, ndërsa ballkanasit: njëri thumbit, tjetri patkoit. Tuxhmani i Kroacisë e pati refuzuar ofertën sepse sipas tij qenë pjekur rrethanat për një shtet kroat. Millosheviçi i Serbisë e pati refuzuar ofertën sepse pati mëtuar një federatë të fortë me Beogradin në krye. Ndërsa Izetbegoviçi i Bosnjës pati propozuar që Jugosllavia të pranonte këtë ofertë, në të kundërtën “në Bosnjë do të ketë gjak deri në gju”. Mirëpo Gligorovi pati deklaruar që oferta kishte ardhur shumë vonë, kur procesi i shpërbërjes së Jugosllavisë tashmë kishte marrë hov të pandalshëm.
Tridhjetë e pesë vjet më vonë, Ballkani ka ndryshuar. Disa shtete janë tashmë anëtare të BE-së, e disa të tjera janë në pritje. Kufijtë e Ballkanit nuk janë të njëjtë dhe Kosovën e kemi të pavarur. Por pyetja që parashtrohet është: çfarë do të ndodhte nëse BE-ja do t’i ofronte sot Ballkanit Perëndimor një marrëveshje po aq ambicioze – integrim të shpejtë, investime të mëdha dhe një perspektivë të qartë politike?
Tridhjetë e pesë vjet më vonë, ka ndryshuar edhe BE-ja. Është zgjeruar, ka kaluar nëpër disa kriza të mëdha dhe sot përballet me sfida që në vitin 1991 vështirë se mund të parashikoheshin. Edhe procesi i zgjerimit është bërë më i ndërlikuar, me më shumë kushte dhe më shumë interesa të shteteve anëtare.
Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që mori statusin kandidat, më 2005, pikërisht pasi kishte bërë përparim të theksuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ajo u përball me veton greke, ndryshoi emrin e shtetit dhe më pas u anëtarësua në NATO. Kurse tani përballet me veton bullgare dhe tejkalimi i kësaj bllokade do të bëhet vetëm nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.
Një zhvillimi tjetër duhet kushtuar vëmendje. Ballkani i sotëm nuk është më vetëm një hapësirë që pret BE-në. Aty tashmë veprojnë disa aktorë të tjerë. Kemi Rusinë dhe ndikimin e saj politik, energjetik dhe informativ, sidomos në Serbi dhe në pjesë të tjera të rajonit. Prania e Kinës nëpërmjet ekonomisë, infrastrukturës, investimeve dhe kredive nuk duhet lënë anash. Turqia po ashtu vepron nëpërmjet ekonomisë, politikës, kulturës dhe lidhjeve historike, ndërsa në një farë mase edhe aktorë nga Gjiri.
Në këto rrethana, a ka BE-ja ende vullnetin dhe mundësinë t’i bëjë Ballkanit Perëndimor një ofertë aq të madhe sa ajo e vitit 1991? A mund të ofrojë njëkohësisht integrim të përshpejtuar, investime të mëdha dhe një perspektivë të qartë politike? Mbase edhe po, mirëpo do të përballej me një sërë pengesash. Zgjerimi i BE-së nuk është më një vendim që mund të merret vetëm nga institucionet europiane, kërkon pajtimin e shteteve anëtare, çka e bën çdo proces të varur nga interesat dhe qëndrimet e tyre. Vetoja e një shteti mund të ndalojë një proces të tërë, ndërsa kushtëzimet që lidhen me reformat, marrëdhëniet fqinjësore dhe çështjet dypalëshe e bëjnë rrugën drejt anëtarësimit edhe më të ndërlikuar. Në të njëjtën kohë, lufta në Ukrainë ka ndryshuar ndjeshëm mjedisin e sigurisë në Europë dhe ka shtuar nevojën për të menduar për zgjerimin edhe në këndvështrimin gjeopolitik. Edhe vetë BE-ja ka çështje të pazgjidhura për zgjerimin e mëtejshëm, pasi një Union me më shumë anëtarë kërkon përshtatje të institucioneve, të mekanizmave të vendimmarrjes dhe të politikave të përbashkëta.
Mbi të gjitha, vonesa e anëtarësimit të rajonit në BE ka shkaktuar pasoja të rënda. Zbrazëtira e krijuar nga kjo vonesë është plotësuar nga aktorë të tjerë, të cilët tashmë kanë zgjeruar ndikimin e tyre politik, ekonomik dhe kulturor, duke zënë gjithnjë e më shumë hapësirën që do të duhej ta kishte mbushur BE-ja. Prandaj, pyetja që mbetet është: a do të ishte një ofertë e tillë sot e mjaftueshme, e mundshme dhe e pranueshme për të dyja palët?