Home Froni Lavdi pornos!

Lavdi pornos!

A+A-
Fshije

Nga fundi i viteve 8o gjëmonte pornoja në kinematë e Tetovës! Afishet me imazhe të skenave të përvëluara të këtyre filmave buzë trotuareve i linin syhapur dhe gojëhapur kalimtarët me namuz dhe pa namuz. Shteti kishte dalë nga dini dhe imani. Shejtani kishte dalë nga shishja. Kinematë frekuentoheshin mirë. Administratorët i lejonin në galeritë e tyre për filma porno edhe të miturit!

Ky trend sot është harruar dhe mund të mos i kujtohet më shumëkujt. Gjeneratat më të reja nuk e dinë që Tetova ka pasur ndonjëherë kinema, jo më ta dinë se në ato kohë, në mjediset publike të qytetit kërciste seksi. Por, ata që e dinë, e dinë se kjo ishte atipike. Pornografia ishte tërësisht jashtë konceptit etik socialist, investimit qendror shoqëror, kulturor dhe politik të Jugosllavisë.

Mirëpo Jugosllavia investonte edhe në një projekt tjetër kapital: depolitizimin e shoqërisë. Ky, në fakt, është një eufemizëm për shpërqendrimin e shqiptarëve nga ideja e çështjes së tyre kombëtare. Pornografia si format kinematografik dhe masmediatik do t’i kontribuonte amortizimit të energjisë së tepruar, e cila mund të derdhej në projekte politike dhe kombëtare.

Nuk e kam të evidentuar – vetëm të dëgjuar – që promovimi i hedonizmit, i kënaqësive trupore, i epshit dhe mishit nëpërmjet pornografisë, si format mediatik në kinema, ka pasur një shtrirje të kontrolluar në vendbanimet shqiptare. Sado që problematika e ideve politike nacionaliste dhe separatiste ka qenë gjithmonë latente në Jugosllavi, vitet e fundit nisi të manifestohej mirëfilli.

Në vitet 90 u shuan kinematë fare; në skenë erdhën rishtas televizionet lokale. Një i tillë maqedonas në Tetovë e futi në skemën programore filmin pornografik. Të premteve dhe të shtunave, vonë, shpeshtoheshin frymëmarrjet para ekraneve. Ndonjëherë nuk e prisnin të binte minuta e mesnatës as operatorët e kanalit dhe britmat e pornos oshëtinin para orarit të caktuar në mjediset private.

A ishte kjo një vazhdimësi e skemës pornografike të kinemave në kohën e sistemit të ri sllavo-kapitalist? Nuk besoj se këtë di ta thotë njeri këtu. Pornografia e lirë mund t’i ketë shkaktuar një barrë shoqërisë. Çfarë mund ta pohojë secili, është se politikisht nuk ngjiti, as e para, as e dyta. Jugosllavia u shthur në fund të asaj dekade, Maqedonia u tund nga një kryengritje shqiptare në fillim të dekadës në vijim. Por ideja e pornografisë si ventil dhe shpërqendrim nuk është venitur.

Tani kemi një paradigmë tjetër të pornografisë në mediet masive. Ajo prej kohësh nuk shfaqet më në kinema. Ka perënduar edhe koha e videotekave, e cila përbënte një trajtë tjetër të qarkullimit të lirë të pornos. Ajo madje është qërruar edhe nga televizionet. Tani më janë zhdukur edhe formatet më të lehta seksuale që aty. Jo vetëm nga ato publike, por edhe nga ato private. Pornografia tani bën një karrierë publike në internet.

Ditëve të fundit nuk hapen rrjetet sociale pa një skandal seksual në Shqipëri. Imazhe pornografike nga një aferë me protagonistë të estradës të futen në Facebook pa gjurmuar pas kësaj meseleje. Është algoritmi që e urdhëron se çfarë të shfaqet në faqen tënde. Dhe për këtë kujdeset një armatë e tërë agjentësh të opinionit publik. Një skandal publik është shpesh një xhevahir për të mbuluar një skandal tjetër. Nëse ky ka ngjyrime seksuale, nuk ka të paguar.

Kjo aferë është shndërruar në festë për portalet, që interesin publik e kanë në fund të listës së tyre. Më e liga e kësaj afere është se protagonisti i saj i ka dokumentuar, për arsye të sëmura, marrëdhëniet e tij intime me dashnoret e veta, ku deri më tani spikatin së paku dy emra të njohur. Por, pohimi se dikush ia ka manipuluar kamerën e fshehur protagonistit, ia vlen të merret në konsideratë.

Është e pamundur që këtë aferë të mos e shohësh në kontekst të ngjarjeve të fundit politike në vend. Natyra seriale e materialit e shton edhe një herë vlerën e tij manipuluese. Atë nuk mund ta shkëpusësh nga jehona e protestës së vendosur popullore kundër qeverisë, për fajet që i përshkruhen asaj, dhe nga skandali i fundit me shefen e shërbimit sekret të shtetit, i cili e ka monopolin e punëve të fshehta, të informacionit dhe të dezinformacionit në një vend.