Home Muza “Kur ata erdhën”: Pengu i heshtjes

“Kur ata erdhën”: Pengu i heshtjes

Një fjalë poezi e Martin Nimëlerit është një reflektim mbi heshtjen që shoqëroi përndjekjet. Një dëshmi e shkurtër dhe e fuqishme se indiferenca ndaj fatit të të tjerëve mund të na lërë të vetëm pikërisht atëherë kur kemi më shumë nevojë për zërin e tyre.

A+A-
Fshije

Kur ata erdhën

Kur nazistët i morën komunistët,
unë heshta; unë nuk isha komunist.

Kur ata i morën socialdemokratët,
unë heshta; unë nuk isha socialdemokrat.

Kur ata i morën sindikalistët,
unë heshta; unë nuk isha sindikalist.

Kur më morën mua,
nuk kishte asnjë më që të protestonte.

Nga gjermanishtja: Kujtim Shabani

I njohur në mbarë botën si “Kur ata erdhën”, citati lidhet me pastorin protestant gjerman Martin Nimëler (Martin Niemöller) dhe reflektimet e tij mbi përndjekjen gjatë regjimit nazist. Ai kujton një nga periudhat më të errëta të historisë evropiane: vendosjen e diktaturës së Adolf Hitlerit, shkatërrimin e opozitës politike dhe përndjekjen e atyre që regjimi i konsideronte armiq.

Pas ardhjes së Hitlerit në pushtet, më 1933, nazistët nisën të eliminonin kundërshtimin politik. Komunistët dhe socialdemokratët u përndoqën, sindikatat e pavarura u shkatërruan dhe arrestimet u kthyen në instrumente të regjimit. Ndërsa diktatura forcohej, heshtja e një pjese të shoqërisë lehtësonte vazhdimin e përndjekjes.

Vetë Martin Nimëler ishte figurë kontradiktore. I lindur më 1892, ai kishte bindje nacionaliste dhe fillimisht e mirëpriti ardhjen e Hitlerit në pushtet. Më vonë, u përplas me regjimin për ndërhyrjen naziste në Kishën protestante dhe u bë pjesë e Kishës Rrëfyese, që kundërshtonte kontrollin e saj nga pushteti.

Në vitin 1937, Nimëleri u arrestua. Pas burgimit, u dërgua në kampet e përqendrimit Sahsenhausen dhe Dahau, ku qëndroi deri në fund të luftës. U lirua më 1945. Përvoja e tij u bë pjesë e reflektimit të pasluftës mbi përgjegjësinë individuale dhe dështimin për t’iu kundërvënë përndjekjes.

Citati nuk u shkrua fillimisht si poezi me tekst të pandryshueshëm, por u formësua përmes fjalimeve të Nimëlerit pas luftës. Me kalimin e kohës, u përhapën variante të ndryshme. Niemëller vdiq në vitin 1984. Fondacioni Bonhoeffer–Niemöller e paraqet si variant klasik dhe të autorizuar versionin që përmend komunistët, socialdemokratët dhe sindikalistët. Historiani Harold Marcuse e kundërshton këtë interpretim, duke argumentuar se në versione të dokumentuara përmendeshin edhe hebrenjtë, viktima të përndjekjes sistematike dhe të gjenocidit nazist.

Ky debat ka rëndësi për kujtesën historike. Regjimi nazist përndoqi jo vetëm kundërshtarët politikë, por edhe hebrenjtë, romët, personat me aftësi të kufizuara dhe grupe të tjera. Citati nuk përmbledh të gjitha krimet e nazizmit, por nxjerr në pah pasojat e heshtjes përballë tyre.

Fuqia e tij qëndron te përshkallëzimi: fillimisht përndiqen të tjerët, pastaj rreziku afrohet te vetë folësi. Kur vjen radha e tij, nuk ka mbetur askush për ta mbrojtur. Historia e Nimëler është veçanërisht domethënëse sepse ai vetë nuk e kundërshtoi nazizmin që në fillim, por u detyrua më vonë të reflektonte mbi përgjegjësinë e vet dhe të shoqërisë.

Sot, “Kur ata erdhën” mbetet një tekst i rëndësishëm i reflektimit mbi autoritarizmin. Mesazhi i tij historik është i qartë: përndjekja mund të përparojë kur secili bind veten se rreziku u përket të tjerëve. Kur shoqëria reagon, mundësia për të kundërshtuar padrejtësinë mund të jetë ende e hapur; kur heshtja bëhet normë, mund të jetë tepër vonë.